Transmetuar më 26-10-2021, 10:56

Ka kaluar pothuajse një vit nga vdekja e Diego Armando Maradonës. Argjentinasi u nda nga jeta më 25 nëntor 2020 për shkak të problemeve me zemrën, në moshën 60-vjeçare.

Më 14 dhjetor, në Riad të Arabisë Saudite do të zhvillohet edicioni i parë i “Maradona Cup”, një kompeticion i krijuar për të kujtuar figurën e atij që për shumëkënd ishte futbollisti më i madh i historisë.

Për ta zyrtarizuar këtë nismë mendoi Barcelona përmes kanaleve të saj sociale. Në ekipin katalanas, Maradona luajti dy sezone, nga viti 1982 deri më 1984. Kundërshtari i blaugrana-ve do të jetë Boca Juniors, skuadra e preferuar e Diegos.

“El Pibe de Oro” e filloi karrierën e tij futbollistike te Boca Juniors, duke u transferuar te Barcelona më 1982. Ai qëndroi dy sezone, përpara se të kalonte te Napoli më 1984, duke qëndruar me gjigantët italianë deri në vitin 1991.

Po kështu, u rikthye te Boca në fund të karrierës si futbollist, para se të tërhiqej përfundimisht nga fushat e blerta më 1997. Kjo ndeshje miqësore (Kupa Maradona) do të luhet në “Mrsool Park” të kryeqytetit të Arabisë Saudite, para 25.000 tifozëve.

Napoli është klubi ku Maradona kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si lojtar, duke luajtur 257 ndeshje, shënuar 115 gola dhe dhënë 33 asiste. Vetëm disa ditë pas vdekjes së tij, stadium “San Paolo” në Napoli u riemërua zyrtarisht “Deigo Maradona” në kujtim të legjendës së futbollit.