Transmetuar më 26-10-2021, 10:45

Ish-bashkëlojtari i Lionel Messi, Thierry Henry, mendon se PSG mund të marrë më shumë nga ish-kapiteni i Barcelonës. Argjentinasi është ende duke u përshtatur në Ligue 1, pasi nuk ka shënuar asnjë gol në katër ndeshjet si vendas, deri më tani, këtë sezon. Për pasojë kanë filluar kritikat ndaj produktit të Messit në ligën e parë franceze.

“Ai (Messi) është i izoluar, bie më pak në kontakt me topin, – tha Henry për ‘RMC Sport’. – Nuk do të thosha se është i trishtuar, por i izoluar. Unë e preferoj atë në mes. Leo ka probleme në të djathtë. Në mes, ai mund të diktojë ritmin. Duhet gjetur diçka, në mënyrë që Mbappe, Neymar dhe Messi të luajnë së bashku”.

Henry: Messi është i izoluar në PSG - GazetaBlic

Ish-sulmuesi i Arsenalit vazhdoi të vërë në dyshim pozicionimin e Messit nën drejtimin e trajnerit të PSG-së, Mauricio Pochettino: “Unë nuk mendoj se ai mund të bëjë diferencën në të djathtë, gjithsesi nuk kam detaje të sakta nga pikëpamja taktike. Natyrisht, kur qëndron larg portës dhe largohet nga habitati i vet natyral, nuk do të ketë ndikim. Pastaj do të ketë më pak topa që shkojnë drejt tij".

Henry, i cili luajti me Messin për tri vite te Barcelona (2007-2010), pohoi se skuadra aktuale e PSG-së i përket Kylian Mbappe, por këmbënguli se duhet të shikojë më shumë drejt Messit sesa të riut francez: “Messi nuk flet shumë, ai flet me topin. Për momentin, PSG është skuadra e Kylian.

Mbappe po e bën atë të shkëlqejë më së shumti. Topi shkon më shumë drejt tij. Në çdo moment mund të ketë vetëm një dirigjent, përndryshe nuk mund të luash me të njëjtin ritëm. Dhe në këtë ekip ka shumë dirigjentë".