Transmetuar më 25-10-2021, 23:00

Asnjë fitore në 6 javë kampionat. Vendi i shtatë në klasifikim. Duket sikur po flasim për një debutues në Superiore, fjala vjen Egnatia, por jo. Në këto pozita mjaft kritike është Partizani, krizës së të cilit iu shtua sonte edhe humbja e derbit.

Për tifozët, por jo vetëm, vlen thënia: Më mirë të fitohet derbi se kampionati! Ilir Daja nuk e mendon dorëheqjen, edhe pse nuk po e ftillon dot skuadrën e kuqe. Pas disfatës me Tiranën në “Arena Kombëtare”, ai tha:

“Kemi humbur në derbi nga një episod. Të vjen keq që gabimi vjen nga një mbrojtës me eksperiencë si Belica, pasi lojtari i Tiranës ishte me kurriz nga porta jonë. Nuk dua të justifikohem me mungesat, por në 90 minuta e kemi mbajtur kundërshtarin te gjysmëfusha e vet.

Nëse nuk do të kishim bërë gjë në derbi në raport me Tiranën do të thoja që kjo gjendje do të ndikonte. Të vjen keq ta humbasësh derbin nga një penallti e tillë. Disa lojtarë e kishin për herë të parë derbin, me një moshë mesatare të re. Besoj se do të dalim nga kjo gjendje, sepse në fund fare asnjë nga ekipet nuk ka dominuar.

Kur flasim për disa lojtarë që bëjnë diferencën janë Belica, Mala apo ndonjë tjetër. Sigurisht do të kërkonim më shumë dhe organizim më të mirë në mesfushë, teksa Filipovic e Junior duhej të shkonin më përpara.

Junior kthehet shumë, pasi mungojnë shërbimet nga krahët dhe vertikalizimet. E kishim studiuar kundërshtarin dhe na duhej një lojtar si Kaçe në fushë. Lojtari më i mirë që kishim ishte Mala, mund të kishte startuar edhe Maguette, por bëheshin shumë lojtarë të rinj në fushë. Nuk mund ta bazosh derbin tek këta lojtarë të rinj.

Kemi gjëra për të rregulluar, por do të thoja që vetëm në pjesën e parë me Kukësin, kundërshtari ka qenë dominues. Në çdo ndeshje tjetër kemi dominuar ne. Kjo gjë na jep shpresë dhe me një fitore mund të shkojmë te rezultate ku duam. Mungesa e rezultatit na ka futur në presion dhe kjo shihet te lojtarët kur dalin para porte”.