Transmetuar më 25-10-2021, 09:51

Real Madridi ka regjistruar ecurinë e tij më të mirë në El Clasico prej 56 vitesh, pasi mposhti Barcelonën në La Liga të dielën. “Los Blancos” triumfuan ndaj Blaugrana-ve falë golit të parë të David Alaba, por edhe “vulës” përmbyllëse të Lucas Vazquez.

Ky i fundit zhbëri barazimin e përkohshëm 1-1, të arritur nga Sergio Aguero për të tijtë. Ky rezultat e ngjit skuadrën e Carlo Ancelotti përsëri në krye të La Liga-s, por edhe vendos rekorde në të dyja skuadrat, pozitive dhe negative.

Çfarë ka arritur Real Madridi? Me triumfin e djeshëm, të bardhët kanë regjistruar katër fitore radhazi ndaj Barçës, diçka historike. Një seri rezultatesh maksimale që shtrihet nga gjysma e parë e vitit 2020.

Me atë rast, golat e pjesës së dytë, me autorë Vinicius Jr dhe Mariano Diaz, i dhanë Real Madridit një fitore të vonë në shtëpi, në mars, pas barazimit 0-0 në fillim të sezonit.

Në mes të sezonit 2020-2021, Real Madridi triumfoi 3-1 jashtë shtëpisë, para fitores tjetër 2-1 në “Santiago Bernabeu”. Dje doli duarplot nga “Camp Nou”, me rezultatin 2-1 në favor. Pra, “poker” fitoresh radhazi ndaj katalanasve.

Po rekordi i padëshiruar i Koeman? Në anën tjetër të llogores, trajneri i Blaugrana-ve ka një tjetër statistikë, që duhej shmangur. Duke humbur edhe një herë kundër Real Madridit, holandezi është bërë trajneri i dytë që dështon në tri ndeshjet e para të “El Clasico”. Po kështu, holandezi bëhet trajneri i parë që e arrin këtë rekord negativ që nga viti 1940.

Vetëm Patrick O’Connell, i cili udhëhoqi klubin katalanas midis viteve 1935 dhe 1940, ka të njëjtën paraqitje negative, duke mos marrë asnjë fitore në tri përballjet e para ndaj “Los Blancos”.