Transmetuar më 25-10-2021, 09:26

Sot do të luhet derbi i madh i kryeqytetit, Tirana-Partizani, i pari për këtë edicion futbollistik. Si prognozë të sfidës së ethshme, edhe kur skuadrat kanë luajtur në kategoritë inferiore, po ju sjellim disa statistika të kësaj përplasjeje, që pritet përherë me shumë emocion, sidomos nga tifozëritë respektive.

NDESHJET – 160 herë janë përballur deri tani Tirana dhe Partizani, nga viti 1947 deri më 2021, në të gjitha kompeticionet: Kupë dhe kampionat.

BILANCI – Partizani ka fituar më shumë se Tirana në derbi, plot 68 ndeshje, ndërsa bardheblutë numërojnë vetëm 42 fitore. 50 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.

GOLAVERAZHI – 223 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 176 të bardhebluve. Golat e fundit në derbi: Hoaxhallari shënoi për bardheblutë, ndërsa Belica dhe Bardhi për për të kuqtë, në përballjen e 13 marsit 2021, që përfundoi me fitoren 2-1 të “demave”. Përplasja e fundit fare u mbyll në barazim pa gola, më 13 maj 2021.

Mund të jetë një imazh i 5 persona, njerëz në këmbë dhe teksti

TE TJERA – Derbi mes këtyre dy skuadrave kryeqytetase ka filluar që më 1947, kur Partizani fitonte ndeshjen e parë 4-2. Në periudhën 1947-1956, Partizani i ka fituar të gjitha ndeshjet me bardheblutë. Kjo seri pozitive zgjati 19 fitore radhazi dhe lidhet me periudhën ku skuadra e Ministrisë së Mbrojtjes asokohe kishte në përbërje lojtarët më të mirë nga i gjithë vendi.

Ata merreshin me urdhër te të kuqtë, ku kryenin shërbimin ushtarak. Pra, Partizani dhe Dinamo e asaj periudhe ishin një lloj Kombëtareje më vete e Shqipërisë. Fitoren më të thelle ndaj Tiranës, ekipi i Partizanit e ka arritur më 1947, me rezultatin 8-0, ndërkohë që dy herë të tjera ka triumfuar 6-0 në vitin 1950 dhe 1951.

Fitorja e parë e Tiranës ndaj Partizanit regjistrohet në edicionin 1965-1966, me rezultatin 2-1. Asokohe, sapo kishte nisur të shpërthente Tirana e madhe e Lym Allës. Barazimi i parë 0-0 është sigluar në vitin 1957. Tirana e ka mundur Partizanin 7-3 më 1985 në një ndeshje spektakolare në “Qemal Stafa”. Fitore të thella të bardhebluve në derbi janë edhe 5-2 më 2004; 4-0 më 2005 dhe 5-1 më 2020.

Duhet evidentuar fakti se në 5 vitet e fundit, Partizani ka qenë superior ndaj Tiranës, teksa në përballjet me këtë të fundit, qysh nga 2-0 më 4 mars 2016 e deri më sot, përfshirë ndeshjen e fundit të 13 majit 2021 (0-0), të kuqtë kanë fituar 9 herë, kanë barazuar 7 herë dhe kanë humbur vetëm 2 herë.