Transmetuar më 24-10-2021, 11:58

Java e 6-të e Superiores e vendos Partizanin përballë Tiranës, në derbin e madh të kryeqytetit. Të kuqtë nuk e kanë shijuar ende fitoren në këtë kampionat, ndërsa bardheblutë janë në krye të renditjes aktuale. Pra, nesër pritet një sfidë e luftuar dhe emocionuese, sidomos mes dy tifozërive antagoniste deri në pakufishmëri. Trajneri Ilir Daja doli në konferencë për shtyp dhe bëri këtë prognozë:

“Përtej pikëve të lëna, atmosfera është e mirë, pasi derbi i motivon lojtarët. Kemi disa mungesa të formacionit, ku do të veçoja Kaçen, Cardozon dhe Carën, të cilët kanë qenë në formacion gjatë këtyre javëve. Camara ka lëvizuar jashtë Shqipërisë për procedurat, çka do të thotë që reparti me shumë mungesa është sulmi. Kjo nuk do të thotë asgjë, pasi derbi është një ndeshje për t’u fituar dhe nuk ka justifikime. Çdo lojtar që do të luajë do të japë maksimumin. Ne pretendojmë për të marrë fitoren e parë e këtë gjë duam ta bëjmë në derbi.

Kush fiton në derbi ka një avantazh të madh nga ana psikologjike, por mbeten ende shumë javë kampionati për t’u luajtur. Për objektivat afatshkurtër do të jetë një pikë kthesë fitorja, ndërsa në ato afatgjata nuk ndryshon gjë, pasi do të luhen edhe 3 derbi të tjerë. Nuk do të futemi në fushë për barazim, por vetëm fitore.

E kemi të qartë që ndeshje të tilla luhen për tifozët dhe çdo trajner e do stadiumin plot. Duhet të jemi edhe realistë për situatën, pasi një stadium plot mund të agravojë më shumë pandeminë dhe këtë gjë e dinë më mirë ekspertët e mjekësisë.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti që thotë "SEZONI 2021-2022 JAVA VI MITRANS PMT 28129 29 SOTA MUSTA 28 IMI TRANS AN: EMI TRANS @at PMTP RRAPAJ 99 EMI TRANS DERBI KRYEQYTETIT 25 TETOR 2021 PARTIZANI ORA 19:45 K K.F.TIRANA STADIUMI: AIR ALBANIA vs TIRANE TIRANA PARTIZANI WW.PARTIZANI.AL"

Derbi është një ndeshje për t’u fituar, pavarësisht se si e luan. Mendoj që derbi ka një pjesë tjetër të menaxhimit të dozës emocionale dhe për këtë arsye kemi punuar më shumë. Në këto raste logjika del në plan të dytë.

Skema e lojës? Nuk ka të bëjë shumë, mund të luash me 3 sulmues dhe të shkosh te zona e golit me një lojtar, ose të luash me një “9” fals dhe shkon në zonën sulmuese me 5 lojtarë. Jemi një nga skuadrat që kemi bërë më shumë goditje drejt portës dhe kemi krijuar më shumë raste. Ajo që duhet të ndryshojë është finalizimi. Kukësi e menaxhoi mirë pjesën e parë ndeshjen e kaluar, por nëse do të kishim shënuar golin e dytë, do të flisnim ndryshe.

Mbështetja e presidentit Demi? Të punosh te Partizani, një nga klubet më të titulluar në Shqipëri, ka presion pasi objektivat janë gjithmonë të larta. Kemi një skuadër me moshë të re dhe një suport i tillë nga presidenti do të thotë më shumë përgjegjësi. Nuk na ka munguar ana financiare dhe as suporti nga presidenti.

Kjo përkthehet në përgjegjësi më të madhe për të arritur objektivat që ka skuadra. Me hapjen e kompleksit, që mezi po e presim të gjithë, besoj se ky proces do të zhvillohet akoma më shumë dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe për të arritur objektivat”.