Transmetuar më 21-10-2021, 10:53

Paul Pogba duket se e ka marrë vendimin për të ardhmen e tij, duke bërë kthesë 180 gradë. Është e vërtetë se fitorja e Manchester United kundër Atalantës në Ligën e Kampionëve arriti “in extremis”, me përmbysje, çka mund të ketë ndikuar në entuziazmi e tepruar të francezit pas ndeshjes.

Deklaratat e tij janë disi të befasishme, por “Oktapodi” duket se i ka dozuar fjalët e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Kampioni i botës më 2018 u fut në lojë në pjesën e dytë, pas përjashtimit nga formacioni startues, duke qenë pikë referimi në përmbysjen e madhe nga 0-2 në 3-2 në “Old Trafford”.

“Vula” e kësaj fitoreje mjaft të lodhur, por tepër të çmuar, u vendos nga goli vendimtar i Ronaldos. "Cristiano është Cristiano, e shënoi golin me mënyrën e tij, si me Villarrealin, – tha Pogba. – Ishte pak a shumë një ‘déjà vu’. Po flasim për një lojtar, që të gjithë e njohin, një kampion të klasit botëror. Çfarë mund të thoni për të? Ne vetëm mund ta respektojmë atë".

Pastaj, një pyetje për të ardhmen e tij, teksa kontrata i skadon në fund të këtij sezoni. "A do të qëndroj te Manchester United? Po, gjithmonë më pëlqen të luaj këtu", – befasoi me përgjigjen francezi, duke përmbysur gjithçka, sepse deri më tani ka përsëritur largimin nga “Djajtë e Kuq”, me Real Madrid, PSG dhe Juventus në gjurmët e tij.