Transmetuar më 20-10-2021, 10:11

Lionel Messi ka adhurues pa fund në mbarë globin. Me atë që ka arritur në futboll, si një yll i madh, por tejet i përulur e njerëzor, argjentinasi ka bërë miliarda njerëz për vete. Thujase askush nuk e urren, edhe nga kundërshtarët, ndaj mbetet idhulli më i madh i atyre që e duan këtë sport magjik, që synojnë të bëhen dikushi në futboll.

Gjatë ndeshjeve, kundërshtarët “vihen në radhë” për të marrë dhuratë fanellën nga “Pleshti”, për ta pasur si një suvenir të çmuar. Mirëpo, kjo dëshirë nuk ekziston vetëm te kolegët e 34-vjeçarit, që kësaj vere la Barcelonën pas 20 vitesh karrierë atje dhe u transferua te PSG.

Mbrëmë, Messi spikati me dy gola të tij ndaj Leipzig, në Ligën e Kampionëve. Dy gola që përmbysën gjermanët dhe shtuan 3 pikë të çmuara në llogarinë e parizienëve në fazën e grupeve. Deri këtu, gjëra që mund të parashikoheshin.

Sidoqoftë, ajo që ndodhi në shkallët e “Parce des Princes”, fokusuar nga kamerat, ishte e paparë ndonjëherë. Një “ofertë” shokuese për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”. Një tifoz i vogël I PSG, veshur me fanellën e skuadrës së zemrës, me mamanë në krah, ishte mes mbështetësve të shumtë në stadium.

Ai mbante në dorë një pankartë tejet të çuditshme, në të cilën i bënte "ofertën" e padëgjuar më parë yllit argjentinas: “Leo, më jep fanellën tënde, të të jap nënën time”. Fjalët janë të tepërta, këto fjalë mund të interpretohen në mënyra të ndryshme nga secili.

Ama, diçka duket e qartë mes tyre, “çmenduaria” e tifozit të vogël parizien për të marrë dhuratën e çmuar nga Lionel Messi. Me siguri, me këtë pankartë në duar, ai tërhoqi vëmendjen e mediave të mbarë botës.

Nuk ka dyshim se do t’ia ketë dalë ta përcjellë dëshirën e madhe edhe te ylli i madh argjentinas përmes mediave. Ish-kapiteni i Barcelonës do ta gjejë mënyrën për t’ia dhënë një fanellë fansit unik të PSG, pa kushte, sigurisht, por me mirënjohje e përulësi…