Transmetuar më 12-10-2021, 12:12

Faqja zyrtare e FSHF-së në internet ka bërë një njoftim tepër të rëndësishëm, sipas saj, për tifozët kuqezinj që kanë blerë bileta dhe do të jenë sonte në “Air Albania”, për të parë nga afër ndeshjen Shqipëri-Polonië.

Kuptohet, mbështetja e të ashtuquajturit “lojtar i 12-të” do të jetë vendimtare për kombëtaren tonë. Duke "dribluar" edhe rregullat e pandemisë, plot 22 mijë zemra kuqezi do të rrahin brenda impiantit sportiv modern të kryeqytetit tonë, me shpresën dhe besimin te fitorja.

Megjithatë, për të hyrë në stadium, duhen zbatuar disa rregulla, të vendosura nga policia dhe autoritetet organizative të kësaj kualifikueseje të Botërorit. FSHF rikujton çfarë duhet të kenë dhe jo me vete tifozët në pikën e kontrollit të “Air Albania”:

"Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë, që do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar “Air Albania” për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Poloni”, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, mbi orarin e hyrjes së tyre në stadium dhe mbi një pjesë të materialeve që nuk do të lejohen të mbahen me vete në stadium.

– Hyrja e tifozëve do të fillojë në ora 18:00.

– Të gjithë personat që janë të pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën moshën 16 vjeç, të cilët janë të pashoqëruar nga prindërit.

– Nuk do të lejohen disa sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.

– Lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar.

Duke ju falenderuar për mbështetjen e pakufishme që i jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd