
Më 12 tetor 1996, Mbappé dhe Haaland nuk kishin lindur. Asokohe u pa një “objekt fluturues” i identifikuar në fushat e futbollit. Ai quhej Ronaldo dhe mbante ‘9’ në shpinë, me fanellën e Barçës. Braziliani shënoi një gol të përjetshëm kundër Compostela. Për karrierën e tij, ai gol është gjithmonë si një ditëlindje. Sot shënohet 25-vjetori i atij goli fenomenal.

Interneti ishte ende në fillimet e tij dhe YouTube nuk ishte as ide. Ishte një gol që duhej ruajtur nëpër arkiva redaksish të mediave. Bobby Robson, ish-trajneri i Barçës, u mahnit kur e pa atë. Britaniku, në një imazh që u bë legjendar, kishte vënë duart në kokë për të dëshmuar sesi sulmuesi i dribloi të gjithë rivalët që i dolën përpara si të ishin shkopinj.
“Fenomenit” iu deshën 10 sekonda për të përfunduar inkursionin prej gati 48 metrash. Sipas sizmografëve, sulmuesi përdori 10 sekonda, 34 hapa dhe 16 prekje të topit derisa filloi të merrte përqafime për kryeveprën e tij.
Protagonisti nuk iu dha rëndësi këtyre detajeve: "Unë e kapa topin në qendër të fushës. Vura re se kundërshtarët më ndiqnin, por unë vazhdova të vrapoja. Pashë se si e gjithë mbrojtja shkoi përpara dhe u futa në zonën midis dy lojtarëve. Në fund munda të gjuaj dhe shënoj". Në kthimin drejt Barcelonës, në aeroplan, me buzëqeshjen që nuk e ka ndryshuar kurrë, ai mori mikrofonin duke u prezantuar si “Komandanti Ronaldo”.

Çdo gol ka një paradë dëshmitarësh dhe “viktimash”. I ndodhi Maradonës në “Azteca”, i ndodhi edhe Ronaldos në “San Lázaro”. Për vite me radhë ata shkruan faqet e një historie futbolli. Me të dy skenarët, Bobby Robson u pajtua. Për trajnerin anglez, në atë kohë "Ronaldo ishte si Pelé në moshën 17-vjeçare. Mund të shikosh kudo në botë dhe me siguri nuk ndesh një gol aq të bukur sa ai".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





