Transmetuar më 11-10-2021, 09:46

"Artikujt e Michael Jordan janë ndoshta më të lakmuarit. Ne shesim shumë suvenire të tjera të vlefshme, por do të thoja se tregu i Michael Jordan po rritet gjatë gjithë kohës".

Kjo është ajo që tha Brahm Wachter, drejtor i “Sotheby’s” për veshje urbane dhe koleksione moderne në një intervistë për CNBC.

Në ankandin e 24 tetorit, në fakt, për një vlerë prej rreth një milion e gjysmë euro, do të dalin një palë atlete “Nike”, të bardha dhe të kuqe, që janë mbathur nga ish-kampioni i Chicago Bulls.

Më saktësisht, me to ka luajtur në nëntor 1984, kur bëri paraqitjen e tij të pestë në NBA. Asokohe, Michael Jordan mbathi atletet më të shtrenjta në histori.

Kujtojmë se ky nuk do të jetë ankandi i parë i gjërave të legjendës së basketbollit amerikan. Vitin e kaluar, një palë atlete të tjera të tij u shitën për shumën rekord prej 560.000 dollarësh, gati katër herë sa vlerësimi fillestar.

Atletet e autografuara nga “Air Jordan 1s”, të krijuar për Michael Jordan, pritej të shiteshin midis 100.000 deri në 150.000 dollarë në ankandin përkatës, por u blenë shumë më tepër se kaq. Tani çmimi është rritur ndjeshëm për ankandin e radhës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd