Transmetuar më 11-10-2021, 08:55

Neymar pranoi se nuk pret të luajë një Kupë Bote tjetër, pas asaj të vitit 2022 në Katar. Ylli brazilian e udhëhoqi kombëtaren e tij në edicionet 2014 dhe 2018, pa triumfuar dot. Selecao dështoi në gjysmëfinale dhe çerekfinale të dy Botërorëve, respektivisht. Dhe me pak më shumë se një vit nga kompeticioni i ardhshëm, ai nuk është optimist se mund ta arrijë Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

"Mendoj se do të jetë Botërori im i fundit vitin tjetër, – tha ylli i PSG në dokumentarin e ri ekskluziv të DAZN, “Neymar & The Line Of Kings”. – E shoh si të fundit, sepse nuk e di nëse do të kem guximin të përballem më me futbollin, s’kam forcë mendore të vazhdoj më tej.

Kështu që do të bëj gjithçka për t’u paraqitur mirë në Katar, për të fituar me kombëtaren e vendit tim, për të realizuar ëndrrën time më të madhe që kur isha i vogël. Shpresoj se do të jem në gjendje të triumfoj".

Neymar e shijoi për herë parë Kupën e Botës në shtëpi, më 2014. Ylli i atëhershëm i Barcelonës ishte bartësi i standardit të një kombëtareje braziliane, e etur për të fituar titullin e saj të parë që nga viti 2002 para fansave të vet, në legjendarin “Estadio Maracana” në Rio de Janeiro.

Gjërat shkuan sipas planit në fazat e hershme, me skuadrën e Luiz Felipe Scolari që kaloi fazën e grupeve me dy fitore dhe një barazim, para se të mposhtnin Kilin me penallti për të arritur në çerekfinale.

Kolumbia ishte sfiduesja e Selecao në çerekfinale, një ndeshje që do të kthehej në makth për Neymar. Sulmuesi u dëmtua, me një frakturë vertebrale, pas një ndërhyrjeje të vështirë nga Juan Zuniga. Ndërsa Brazili mbizotëroi mbi fqinjët e vet në Amerikën e Jugut, ai dhe Thiago Silva mbetën jashë gjysmëfinales kundër Gjermanisë, e cila përfundoi me rezultatin e famshëm 7-1.

Katër vite më vonë, Neymar luftoi me kohën për t’u rikuperuar para “Rusia 2018”, pasi humbi tre muajt e fundit me klubin për shkak të një dëmtimi në këmbë. Ai përfundimisht luajti për ekipin e Tite dhe shënoi dy herë në turne, por nuk mundi të gjente një mënyrë për të kapërcyer portierin e Belgjikës, Thibaut Courtois, kur Brazili ra 2-1 në çerekfinale, duke u kthyer përsëri në shtëpi me duar bosh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd