Transmetuar më 10-10-2021, 04:10

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha të Shtunën se do të japë dorëheqjen, në një përpjekje për të shuar një krizë qeveritare të shkaktuar nga njoftimi i prokurorëve se ai është një objektiv i një hetimi korrupsioni.

Kurz, 35 vjeç, tha se i ka propozuar presidentit të Austrisë që ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg të bëhet kancelar. Por vetë Kurz do të mbetet në një pozicion kyç politik: ai tha se do të bëhet kreu i grupit parlamentar konservator të Partisë Popullore Austriake.

Dorëheqja erdhi pasi partneri i vogël i koalicionit, të Gjelbrit, tha të Premten se Kurz nuk mund të qëndrojë si kancelar dhe kërkoi që partia e tij të emërojë një "person të padiskutueshëm" për ta zëvendësuar atë.

Qeveria e koalicionit mori detyrën në janar, 2020.

Udhëheqësi i të Gjelbërve, Zëvendës Kancelari Werner Kogler, përshëndeti vendimin e Kurz si "një hap të drejtë dhe të rëndësishëm".

"Kjo do të thotë që ne mund të vazhdojmë punën tonë në qeveri," tha ai.

Kurz dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë akuzohen se janë përpjekur të sigurojnë ngritjen e tij në drejtimin e partisë dhe vendit me ndihmën e sondazheve të manipuluara dhe raporteve miqësore në media, të financuara me para publike.

Sipas hetimeve, Kurz ka financuar disa media me paratë e shtetit dhe në këmbim të favoreve ka marrë mbështetjen e tyre deri dhe në sondazhe të sajuara, dukuri këto, që të dyja, praktikë pune e zakonshme në Shqipëri.

Kurz, i cili u bë udhëheqës i Partisë Popullore dhe më pas kancelar në vitin 2017, mohon keqbërjen.

Të Gjelbrit thanë se hetimi krijoi një përshtypje "katastrofike". Në një rast të veçantë, autoritetet anti-korrupsion e vunë Kurz nën hetim në maj, me dyshimin se kishte bërë deklarata të rreme në një komision parlamentar, një pretendim që ai gjithashtu e hodhi poshtë.

Drejtuesit e opozitës bënë thirrje që Kurz të dorëhiqej dhe planifikuan të paraqisnin një mocion mosbesimi kundër tij të martën në parlament.

"Ne jemi akoma në një fazë shumë të ndjeshme në Austri – pandemia nuk ka mbaruar ende dhe rritja ekonomike sapo ka filluar", ndërsa një reformë e sistemit tatimor të vendit për të ndihmuar në frenimin e emetimeve të gazrave serrë është negociuar, por ende nuk është zbatuar", – tha Kurz.

"Ajo që na nevojitet tani është një situatë e qëndrueshme," u tha ai gazetarëve në Vjenë. "Pra, për të zgjidhur ngërçin, unë dua të gjej rrugë për të parandaluar kaosin dhe për të siguruar stabilitetin."

Ai këmbënguli përsëri se akuzat kundër tij "janë të rreme" dhe shtoi: "Unë do të jem në gjendje ta sqaroj këtë – jam thellësisht i bindur për këtë".

Kurz komentoi dhe kërkesën e të Gjelbërve për zëvendësimin e tij: "Shumë më thonë se kjo është e padrejtë dhe … mund ta imagjinoni që edhe unë personalisht do të isha mirënjohës nëse prezumimi i pafajësisë në vendin tonë do të zbatohej vërtet për të gjithë."

Kurz do të mbajë udhëheqjen e partisë së tij, si dhe do të bëhet udhëheqës i grupit të saj parlamentar.

Zgjedhjet e tjera të rregullta parlamentare të Austrisë do të mbahen në 2024. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd