
Ashtu si në ndeshjen e shtatorit, edhe sonte, heroi i kuqezinjve ishte Armando Broja. 20-vjeçari ka treguar klasin e lartë në aksionin e minutës së 80-të, duke iu vjedhur me shpejtësi kundërshtarit në krahun e djathtë, pastaj duke marshuar në zonën hungareze dhe prirtazi me portën ka shënuar golin e vetëm të transfertës në “Puskas Arena”.

Dy gola të Shqipërisë në histori ndaj kombëtares hungareze, të dy kanë autorësinë e Brojës. E çuditshme si mund të lihet ai në stol, këtë mund ta dijë vetëm Edy Reja. Kujtojmë se kombëtarja jonë e nisi me dyshen e sulmit Cikalleshi-Uzuni, aspak efektive sonte. Sidomos beratasi ka shpërdoruar dy-tri mundësi të arta.

Nuk ishte nata e tij, ndërsa Cikalleshi u duk i shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës, larg portës kundërshtare, teksa kthehej deri në mbrohjtje, kur sulmonte Hungaria. Krej e natyrshme lëvizja e Rejës në pjesën e dytë, në minutën e 66-të, duke e zëvendësuar sulmin kokë për kokë.

Jashtë Cikalleshi dhe Uzuni, në lojë Manaj dhe Broja. Pikërisht kjo lëvizje rezultoi fatlume për kuqezinjtë, sepse Broja, pronë e Chelsea në Premier League, nxori një tjetër perlë nga repertori i tij, duke i dhënë Shqipërisë tri pikë të arta, që e mbajnë në luftë për vendin e dytë.

Tashmë mbetet sfida e 12 tetorit në “Air Albania” për t’u kaluar me sukses, teksa sprova e parë delikate u kalua sonte sikurse duhej. Sigurisht, falë klasit të Brojës, sepse tanët po dominonin tërësisht në lojë, por nuk dinin ta gjenin rrugën e rrjetës. Duhet përmendur se kemi qenë edhe me fat, teksa tri minuta para zhbllokimit të ndeshjes, porta jonë u trondit, me topin që u përplas në shtyllë.

Lajm i keq ishte dëmtimi i Gjimshitit, pas një përplasjeje me Berishën, i cili doli me barrelë nga fusha që në minutën e 30-të, u dërgua menjëherë në spital, me lajmet që flasin për një thyerje të parakrahut. Pra, sipas të gjitha gjasave, e kemi humbur shtyllën e prapavijës për ndeshjen me Poloninë.
Edhe Çekiçi e plotësoi numrin e kartonëve të verdhë, ndaj nuk mund të luajë më 12 tetor. Po për grupin tonë, sonte fituan Anglia dhe Polonia, respektivisht 5-0 ndaj Andorrës dhe San Marinos.

Heroi i ndeshjes, Armando Broja, duke folur pas ndeshjes, u shpreh: “Kam besim gjithmonë. Kam dëshirë të shënoj gola me peshë. Jam i kënaqur për ekipin dhe për veten. Kam qenë i dëmtuar dhe nuk jam stërvitur pardje. Trajneri më pyeti nëse doja të futesha dhe i thashë po. U futa me besimin për të gjetur golin. Do ta shikoj në stërvitje nesër sesi do të shkojnë gjërat. Besojmë te vendi i dytë. Kjo është gjë e madhe për Shqipërinë, pasi nuk jemi vend i madh. Tani duhet të jemi me këmbë në tokë ndaj Polonisë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





