
Dje ishte dita e vizitave speciale në Torino, pranë “Continassa” (kompleksit stërvitor të Juventusit). Nëse Pjanic përfitoi nga pushimi për të shkuar dhe përshëndetur Max Allegrin e disa nga ish-shokët e skuadrës bardhezi brenda qendrës sportive, pak më tutje, në “J Hotel” u mbajt një takim tjetër po aq i përzemërt dhe kurioz.
Hoteli po pret kombëtaren e Belgjikës, kundërshtarit të radhës së Italisë (pasditen e së dielës, në “Allianz Stadium”), në sfidën për vendin e tretë dhe të katërt të Ligës së Kombeve. Kështu, Romelu Lukaku pati një vizitë të veçantë nga ish-trajneri i tij, me të cilin fitoi titullin zikaltër sezonin e kaluar, Antonio Conte.
Ky i fundit jeton në Torino dhe pardje ishte në tribunat e “Allianz Stadium” për të parë Belgjikë-Francë. Prania e ish-trajnerit të Interit nuk kaloi pa u vënë re, madje ai bëri fotografi me disa fansa të pranishëm. Rikonfirmohet kësisoji lidhja e ngushtë e tij me qendërsulmuesin belg, një nga lojtarët që vlerësoi më shumë gjatë menaxhimit të Interit.
Të dy ishin protagonistët e mëdhenj të suksesit të titullit në Serie A, të cilin kthyen në klubin zikaltër pas 11 vitesh. Ata prishën dominimin e Juventusit, i cili ishte afirmuar kampion i Italisë për nëntë sezone radhazi.
Një vizitë e përzemërt nga Conte te Lukaku, një gjë që ndodh rrallë në grumbullimet e një kombëtareje futbolli. Kësaj radhe ishte më tepër vendndodhja e takimit, ajo që e bënte gjithçka më kurioze.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





