Transmetuar më 08-10-2021, 13:18

Të dy kanë luajtur së bashku 184 ndeshje me Ferencváros, nga 33 herë me kombëtaret respektive, vlejnë diku te 4 milionë euro në merkato, dhe ishin në gjendje të mësoheshin të luftonin së bashku për një ekip. Por, të shtunën, për herë të dytë në një kohë të shkurtër, ata do të jenë kundërshtarë. “Nemzetispor” në Hungari ka zhvilluar një intervistë paralele me mbrojtësin e kombëtares hungareze, Endre Botka, dhe sulmuesin e kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Ne po zbardhin fjalët e bomberit beratas.

A ju pëlqen të luani kundër Endre Botka në stërvitjen e Ferencváros?

Ne kemi përballje të forta. Me Endre, patjetër i ngjajmë njëri-tjetrit në atë që nuk dalim nga asnjë stërvitje të vetme pa ndonjë gërvishtje të vogël. Kjo, ngaqë përpiqemi të japim maksimumin e aftësive tona.

Cilat janë pikat tuaja të forta? Ai ka një zemër të madhe, lufton deri në fund, ky mentalitet është afër meje. Endre kurrë nuk heq dorë.

Cila është dobësia juaj?

Do ta them këtë pas ndeshjes të së shtunës kundër hungarezëve.

A qëndroni shumë larg në dhomat e zhveshjes në Ferencváros?

Relativisht afër dhe na pëlqen ta ngacmojmë njëri-tjetrin.

Pas kualifikueses së shtatorit, ai nuk ju pa të buzëqeshur, e lëre më të ngacmoje humbësin…

Nuk do të ishte e drejtë! Futbolli, veçanërisht ndeshjet e ekipit kombëtar, nuk janë shaka. Ne ishim më mirë në Elbasan dhe morëm tri pikët. Nuk do të kishte qenë e drejtë nga ana ime nëse do t’i ngacmoja shokët e mi të ekipit. Ekziston një situatë kur mund ta ngacmoni tjetrin me rezultatin, ky nuk ishte rasti. Endre Botka dhe unë ishim startues në atë ndeshje, Dénes Dibusz hyri gjatë pjesës së dytë.

Çfarë mendoni se bëtë më mirë se kombëtarja hungareze në fillim të shtatorit? Si e mundët Marco Rossi?

Është e qartë se ne ishim më të motivuar. Ne donim fitoren patjetër, tri pikët. Për grupin, fitorja ishte e rëndësishme, i mbajtëm gjallë shanset tona, gjithashtu luajtëm për trajnerin Edoardo Reja. Ne e konsiderojmë atë një profesionist të shkëlqyer, një trajner të madh. Ishte e qartë se ne po luftonim edhe për të.

Përplasja e së shtunës mbrëma po afron. A kërkojnë shokët tuaj të kombëtares info mbi Budapestin?

Përmenden shpesh kualifikueset e Kupës së Botës. Ata e dinë që unë jetoj në Budapest, luaj te Ferencváros. Nëse jo të gjithë, por disa nga shokët e mi të skuadrës ishin kuriozë për jetën këtu.

Çfarë iu the atyre?

Se Hungaria është një vend i bukur. Më pëlqen të jetoj në kryeqytetin hungarez. Ajo që theksova gjithashtu është se njerëzit, tifozët, jetojnë dhe vdesin për ekipin kombëtar. Ashtu sikurse ndodh me ne në Shqipëri. Biletat për ndeshjet mbarojnë brenda pak sekondash, siç ndodh në Shqipëri. Çështja tjetër është se të shtunën do të luajmë me stadiumin bosh.

A të vjen keq për këtë?

Më vjen pak keq! Kam parë Kampionatin Evropian se çfarë atmosfere e frikshme për kundërshtarin krijohet në “Puskás Arena”. Do të ishte mirë të luanim futboll në një mjedis të tillë. E pranoj, me shkallët të mbushura me tifozë, para 60 mijë hungarezëve, natyrisht është më mirë të vraposh në fushë si një lojtar hungarez sesa shqiptar. Nuk është një avantazh për ne që të mos ketë tifozë në stadium, pasi Hungaria tashmë ka arritur rezultate të mira. Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të sjellë kjo përplasje.

A e konsideroni vërtet vendin e dytë në grup?

Po, edhe ne lojtarët besojmë në të. Para dy ndeshjeve të radhës jemi prapa anglezëve, duke rivalizuar me Poloninë dhe Hungarinë pas nesh. Nuk po them se do të jetë e lehtë të sigurojmë vendin e dytë, por nuk është e pamundur. Kemi një ekip të mirë, me lojtarë plot përvojë, që stërviten në ligat evropiane. Edhe qëndrimi i tifozëve shqiptarë është i tillë, ata kurrë nuk heqin dorë.

Cila mendoni se është kombëtarja më e mirë, hungarezja apo shqiptarja?

Të dyja janë ekipe të forta, të organizuara. Nuk dua të bëj deklarata bombastike, fitoftë më i miri të shtunën. Ajo do të jetë edhe përgjigjja për këtë pyetje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd