Transmetuar më 08-10-2021, 08:29

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se qeveria do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset përmes të vetmit operator shpërndarjeje, OSHEE.

Rama tha se Shqipëria nuk i përmbush vetë të gjitha nevojat për t’u furnizuar me energji dhe për këtë arsye është e detyruar të blejë energji në bursa.

Sipas tij, në këto bursa, aktualisht çmimi i energjisë është rritur ndjeshëm dhe tregu nuk do t’ia dijë nëse je vend i varfër apo i pasur.

Sipas Ramës, aktualisht çmimi i energjisë në vend është nën koston reale:  “Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme dhe blejmë energji kur kemi thatësirë. Jemi të varur nga çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar.

Çmimet e bursës së energjisë nuk kanë lidhje për dallimet në rroga në Spanjë apo Shqipëri", tha Rama.

Ai premtoi se do të mundohet të ndihmojë familjet që të përballojnë atë që ai e quajti krizë globale që po troket dhe tha se qeveria do ta bëjë këtë me anë të subvencioneve.

Kryeministri foli dhe për shtrenjtimin e karburantit edhe pse pikat e shitjes më së shumti shesin lëndë djegëse të prodhuar më vend.

"Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumon. Nafta jonë është e rëndë, shkon në tregun ndërkombëtar për nënprodukte për prodhim industrial, si bitumi. Si kudo në botë, nafta gjenerohet nga subjekte private të cilat e blejnë atë në tregjet ndërkombëtare", tha Rama.

Megjithatë kjo nuk është e vërtetë pasi në pikat e prodhimit dhe përpunimit të naftës si në Fier, merret naftë dhe tregtohet në pikat e karburantit në të gjithë Shqipërinë krahas asaj që importohet. /noa.al