Transmetuar më 08-10-2021, 08:28

Rritja e çmimeve është kryetema e ditës. Qytetarët ankohen se nuk e përballojnë jetesën. Ndërveprim mes qytetarëve dhe kryeministrit ka pasur edhe në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama ka hyrë live në Facebook dhe ka kthyer përgjigje për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe të karburantëve.

Duke zgjedhur disa nga pyetjet më të shpejta të ndjekësve Rama ka thënë se ne jemi të detyruar që të importojmë energji me çmim të lartë nga jashtë, për shkak se energjia prodhohet vetëm prej hidrocentralëve, dhe në kushtet e thatësirës çmimi rritet.

Rama foli dhe për naftën, që sipas tij në vendin tonë nxirret në formën e metaleve të rënda, dhe dërgohet jashtë për t’u përpunuar.

Sipas Ramës, qeveria e tij e ka marrë sektorin e energjisë elektrike kur ishte në humnerë, dhe tashmë po bëhen të gjitha përpjekjet për ta çuar sektorin në ditët më të mira të tij.

Pjesë nga fjala e Ramës:

"Ne prodhojmë kur kemi reshje, dhe importojmë në momente të caktuara, dhe jemi të varur nga çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar.

Çmimet e bursës së energjisë nuk kanë lidhje në dallimet në rroga me vendet e tjera, ne kemi informuar mbi influencën e çmimeve të energjisë në bursat ndërkombëtare.

Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që shpenzon, dhe është naftë e rëndë, e cila dërgohet jashtë, si kudo në botën demokratike, nafta tregtohet nga subjektet private.

Ne prodhojmë vetë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojmë, edhe sot që flasim çmimi i energjisë për familjarët është nën kostot reale. Për shkak se subvencionohet nga shteti.

Unë dal përpara popullit dhe ju shoh drejt e në sy. Ne e morëm sektorin e energjisë, jo në gropë por në humnerë dhe e çuam këtu ku është sot.

Edhe njëherë vendi ynë nuk e prodhon në vend të gjithë energjinë që konsumon".