
Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita ka 8 vjet që bën të njëjtën gjë dhe merr të njëjtin rezultat, humbjen në zgjedhje.
Kryeministri tha se aktualisht në PD po zhvillohet një debat se kush është kukulla dhe kush është pengu. Lidhur me krizën energjetike dhe rritjen e çmimit të karburantit, Rama tha se PD mendon si të ishte “mbetje e partisë së Punës”.
“Ka tetë vjet që përsërisni të njëjtën gjë dhe merrni të njëjtin rezultat. Nuk ju shpëtojnë fantazitë për masakrat elektorale. Nuk mund të përsërisni çdo gjë pa pushim duke i marrë shqiptarët për budallenj. Po kjo është zgjedhja juaj.
Sidomos tani që jeni në një garë se kush është kukulla dhe kush është pengu. Faktet janë fakte, por urtësia e popullit vendos ditën e gjykimit.
Ju u thoni shqiptarëve se fatura e energjisë është më e larta në rajon. Kjo është e pavërtetë. Dje në samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor të gjithë kryefjalën e shqetësimit kishin çfarë mund të bëjmë së bashku, siç bëmë me pandeminë për të përballuar furtunën e krizës energjetike. Ju i thoni shqiptarëve që Shqipëria nuk ka lidhje me çmimet ndërkombëtare. Del Shqipëria në treg për të blerë energji apo jo?
Rritja e çmimit në bursa nuk pyet nëse një vend ka më shumë, apo Shqipëria ka më pak. Nga mënyra si flisni, dukeni si mbeturina të Partisë së Punës. Konceptet tuaja janë mbeturina të partisë së vjetër.
Tani më thoni, me gjithë taksën e karbonit brenda, a më thoni, sot nafta është më shtrenjtë apo më lirë sesa dita kur ju latë qeverinë”, tha Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





