Transmetuar më 06-10-2021, 08:47

Pas disa ditë hetimesh, policia zvicerane arreston një të dyshuar si vrasës të 20 vjeëarit shqiptar nga Kosova.

Dhjetë ditë më parë, Ardit Nikçi vdiq në pikën e karburantit Avia në Geuensee të Zvicrës, si pasojë e plagëve që mori gjatë rrahjes mes dy grupeve.

Në vendin e ngjarjes u gjetën një thikë, gurë dhe një çekan, raporton Blick. Arsyeja e kësaj vrasje mendohet se ishte për një sistem ventilimi dhe për para.

Policia e Luzernit ka arrestuar personin që dyshohet për vrasjen e shoferit të ri të kamionit.

“Ne shumë shpejt e identifikuam dhe e arrestuam të dyshuarin”, tha Simon Kopp (52) nga zyra e Prokurorit të Luzernit. “Personat janë në paraburgim në lidhje me vrasjen në Geuensee”.

Nga zyra e prokurorit në Luzern bëjnë të ditur se shtatë persona janë në paraburgim dhe për pesë prej tyre është caktuar masa e paraburgimit deri në dhjetor.

Në mesin e personave që janë në paraburgim janë pesë sirianë, një zviceran dhe një irakian, ndërsa në mesin e tyre është edhe një grua.

Sipas hulumtimeve të Blickut gjurmët e të arrestuarve çojnë në një familje në dy fshatra në Kantonin e Luzernit dhe një në një qytet në veri të Zvicrës.

Në të gjitha vendet konfirmohet se njerëzit në lidhje me krimin nuk u panë më, u larguan nga punëdhënësi apo u arrestuan.

Kopp nuk zbuloi nëse të dyshuarit që gjenden në paraburgim kanë pranuar krimin apo janë mbrojtur në heshtje, transmeton Reporteri.

Zyra e Prokurorit po kryen hetimet për zënkën dhe nuk bën të ditur se çfarë armë dhe mjete janë përdorur për vrasjen e viktimës dhe lëndimin e personave tjerë.

Raporti i Instituti të Mjekësisë Ligjore mbi shkaqet e vdekjes së viktimës është ende në pritje.

“Video-regjistrimet ndihmojnë në lidhje me hetimet. Ne i kontrollojmë pamjet tërësisht, çdo sekondë. Në fund është si një mozaik ku të gjitha pjesët duhet të përshtaten”, ka thënë Kopp.