
Sot do të luajë ndoshta ndeshjen e fundit si trajner i Barcelonës. Një humbje ndaj Atletico Madridit do ta “minonte” përfundimisht pozicionin e Ronald Koeman. Rezultatet janë tejet zhgënjyese, ndaj “kupa është mbushur” për holandezin. Që është në dyshim të madh, këtë fakt e pranoi vetë Koeman në konferencën për shtyp:
“Jemi në krizë rezultatesh. Ekziston një mungesë ekuilibri për momentin te barcelona. Kemi lojtarë sulmues që po shërohen. Na mungon efektiviteti para portës. Atlético Madridi është i aftë të godasë portën dhe të shënojë. Ne arritëm katër herë para portës kundërshtare dhe nuk shënuam në ndeshjen e fundit. Ky është ndryshim i madh.
Cili është momenti më i mirë imi në krye të Barçës? Duket se jam tashmë jashtë, a ia vlen të përgjigjem?! Momenti më i mirë ishte nënshkrimi. Më i keqi, largimi i Messit. A do të merrte një trajner tjetër më shumë nga ky ekip? Nuk e di. A duhet të flas edhe për një trajner tjetër? Nëse do të kisha çantën e parave, Messi do të ishte këtu. Edhe lojtarë të tjerë që do t’i sillja për të luajtur futboll dominues.
Jam lodhur duke u mbrojtur. Çdokush mund ta analizojë situatën e klubit dhe ekipit. Sigurisht, ka njerëz që mendojnë se duhet ndryshim, të tjerët mendojnë se nevojitet kohë… Një ditë do të doja të flisja mirë për atë që mendoj. Unë nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Të gjithë e dinë se jam këtu për dashurinë ndaj këtij klubi. Kam ardhur në një situatë të vështirë dhe të gjithë kanë mendimin e tyre.
A do të jetë sot ndeshja ime e fundit? Askush nuk më ka thënë asgjë. Është e vërtetë që presidenti ishte këtu, por nuk e takova. Ai nuk më ka thënë asgjë, por kam veshë dhe sy. E di situatën, sepse shumë gjëra filtrohen. Unë e di se gjithçka varet nga rezultatet. Është diçka normale në këtë botë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





