
Sot, prej orës 19:45, në “Elbasan Arena” do të startojë derbi i parë i këtij sezoni. Mos kujtoni se po flasim për Tirana-Partizani, supersfida që elektrizon kryeqytetin, por për një ndërqytetase tjetër. Dinamo, e kthyer pas 12 vitesh në Superiore, do të presë të kuqtë në përpjekje për ta ruajtur kolonën zero të humbjeve në këtë kampionat.
Nuk mund të kishte sfidë hapëse më interesante për javën e katërt të Superiores. Interesant është fakti se një dinamovit, kampion me blutë, si Ilir Daja drejton të kuqtë aktualisht, ndërsa një ish-futbollist i “demave”, Bledi Shkëmbi, është në stolin e “nëndetëses”. Prandaj po e konsiderojmë një sfidë ish-ësh, sepse me këto “valenca” kemi edhe ndonjë futbollist. Trajneri Ilir Daja bëri këtë prognozë të përballjes me Dinamon:
“I rikthehem historisë, sepse kam dëgjuar e parë shumë këtë javë. Është një gjë e rrallë, pasi ndeshja e fundit finale u fitua me 9 lojtarë dhe ka ngelur në historinë e futbollit shqiptar. Asokohe dola kampion me Dinamon. Tani jam në krahun tjetër dhe do duhet të luftoj kundër ish-skuadrës sime. Ky është profesioni ynë.
Është një ndeshje e vështirë, edhe pse Dinamo është rikthyer në Superiore pas disa kohësh. Ndeshjet derbi nuk parashikohen, por janë për t’u fituar. Ne do të futemi në fushë për të fituar. Dinamo është një kundërshtar që luan mirë në të dyja fazat e lojës. Një ekip i riformatuar, por me lojtarë që e njohin mirë kampionatin tonë.

Ka pak të huaj, por janë nga ata që kanë luajtur në Superiore. Besoj se duhet të jemi grup, edhe Dinamo luan në grup, që të minimizojmë gabimet e tri javëve të para. Personalisht kam qenë i kënaqur me atë që ka prodhuar ekipi, pasi jemi në fillim të kampionatit. Dinamo e ka nisur mirë, por po aq mirë e kemi nisur edhe ne.
Mungesa e rezultateve? E kemi këtë presion, sigurisht. Edhe lojtarët janë njerëz me ndjenja, ndaj gabojnë. Nëse nuk do të kishim këto lloj fajesh individuale, do të kishim 3-4 pikë më shumë, në vend të parë a të dytë. Ajo që na jep garanci është loja që kemi bërë ndaj vendeve të para të sezonit të shkuar. Në pjesën më të mirë të ndeshjeve kemi dominuar.
Shumë barazime në këtë kampionat? Kjo tregon që diferencat nuk janë të mëdha. Dinamo dhe Egnatia kanë investuar në merkato, kanë marrë lojtarë të mirë. Kjo e rrit rivalitetin, e tregoi java e shkuar me 5 barazime. Nuk ka diferenca të mëdha, edhe në klasifikim ekipet janë të ngjeshura. Nuk kemi marrë pikët që donim, por jemi tri pikë larg ekipeve të tjera. Rivaliteti do të jetë i madh mes 6-7 ekipesh.
Presidenti po bën investim gjigant dhe nuk na ka munguar asgjë. Për rezultatet teknike përgjigjet stafi teknik, jo presidenti. Përgjegjësia për lojën dhe rezultatet merret nga ne. Ai ka thënë që është i kënaqur nga loja”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





