
BRUKSEL – Bashkimi Evropian heq dorë nga garancitë që ka dhënë dhe planifikonte të jepte në vijim për integrimin e Shqipërisë dhe pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, zbulohet nga një dokument dhe deklarata të diplomatëve që ka folur Reuters.
Tërheqja e Brukselit vjen nga frika e një reagimi politik në shtetet anëtare, ndaj Unioni nuk mund të pajtohet më për të dhënë garanci për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit, disa vite pasi u kishte premtuar një vend në BE, sipas katër diplomatëve dhe një dokumenti të brendshëm që ka parë agjencia e lajmeve Reuters.
Raportohet se prej disa javësh Brukseli është përfshirë nga një ngërç në lidhje një deklaratë për samitin e udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit i pritshëm më 6 tetor.
Deklarata pasqyron kuotat më të ulëta në strategjinë e BE-së për të sjellë Serbinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në bllok. Kjo krizë e BE përkon dhe me një shpërthim të tensionit në kufirin Kosovë-Serbi.
Në samit, BE -ja planifikoi të përsëriste premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë për të dhënë "mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor". Pikërisht kjo pjesë e përsëritur pa fund, është bërë objekt debatesh dhe që nga data 11 shtator që u hartua projekt-deklarata e deri më sot, janë zhvilluar të paktën dy raunde bisedimesh pa marrëveshje, thanë diplomatët që citon Reuters.
Shtetet e BE-së nuk do të zbulojnë publikisht pozicionet e tyre, por vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Hollanda, qartësisht kanë evidentuar në Bruksel se ato kanë frikë nga përsëritja e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 dhe migrimit të keqadministruar të punëtorëve të Evropës Lindore në Britani që i ktheu shumë britanikë kundër BE-së. Në këtë mënyrë, vendet e BE janë kundër edhe çeljes së negociatave, por sidomos kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Union.
Dhe në fakt kjo nuk është një praktikë dhe taktikë e re për BE. Unioni çeli negociatat me Turqinë që në vitet ’80, por nuk përparoi kurrë me to, duke luftuar fort në zyrat e Brukselit që anëtarësimi i Turqisë të mos ndodhë kurrë ose të shtyhet sa më shumë të jetë e mundur siç pohohet jashtë mediave në zyrat e ngurta të Unionit.
Mjafton vetëm një shtet të jetë hezitues dhe çdo gjë bllokohet. Së fundi ka dalë Bullgaria, e cila është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të një mosmarrëveshjeje gjuhësore. Edhe nëse më në fund bihet dakord mes dy vendeve, kjo që po ndodh pasqyron paralizën që ka kapur BE që në çdo kohë ka në gjirin e saj një vend të gatshëm të bllokojë përparimin e vendeve aspirante. Deri dy vjet më parë ishte Greqia siç shumëkush e di.
E ndërsa BE vazhdon t’i largohet gjithnjë e më shumë Ballkanit Perëndimor, Kina dhe Rusia po rriten me investime dhe ndikim.
Në janar, Shqipëria bashkë me Serbinë, ishte vendi i parë evropian që mori vaksina kineze COVID-19 për vaksinim masiv.
BE -ja po përkeqëson gjithashtu në mënyrë indirekte tensionet në rajonin prej 20 milionë banorësh, thonë diplomatët, në kushtet kur qytetarët e Ballkanit ëndërronin të bashkoheshin me BE -në pas luftërave etnike të viteve 1990, ndërsa Jugosllavia u shpërbë.
Trupat e NATO-s rritën patrullimet në Kosovë të hënën pranë vendkalimeve kufitare të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë, të zemëruar nga ndalimi i makinave me targa serbe që të hyjnë në Kosovë dhe pse Serbia ka vite që ua ka bërë këtë shqiptarëve.
Serbia nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe ka filluar manovrat ushtarake pranë kufirit.
"Ata po sillen keq për t’u vënë re", tha një diplomat i lartë i BE -së në Bruksel i përfshirë në politikën ballkanike. "Ka një përkeqësim në Ballkan që vjen nga interesi i humbur për rajonin nga kryeqytetet e BE -së", – tha diplomati që citon Reuters.
BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë apeluar për qetësi dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nisi një udhëtim tre-ditor në gjashtë vendet e Ballkanit të martën për të treguar angazhimin e ekzekutivit të BE në rajon. Ursula vazhdoi me sloganet e lodhshme dhe boshe për mbështetje ndaj Shqipërisë dhe se BE është e ardhmja e vendit, duke qenë e vetëdijshme për dokumentin e mësipërm dhe padëshirën e fortë të Unionit që të anëtarësojë Baklkanin e mbetur.
Në ndalesën e saj në Shqipëri, von der Leyen tha se i qëndronte zotimit se "e ardhmja e Shqipërisë është në BE". Por besueshmëria e BE -së është dëmtuar, veçanërisht pasi Franca dhe Hollanda ndaluan përkohësisht procesin e zgjerimit dy vjet më parë dhe Bullgaria tani po e bllokon atë.
Në analizën që Robin Emmott nga Reuters i bën situatës, vë në dukje se Kosova dhe Serbia ndihen të zhgënjyer edhe nga Shtetet e Bashkuara. Një vit më parë ato u ftuan në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump për të nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Por ajo dështoi plotësisht. Nga ana tjetër, BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin për të lejuar udhëtimin pa viza të Kosovës. BE u tregua e ulët duke kërkuar gjithfarë kushtesh pa lidhje vetëm e vetëm që Kosova të tërhiqej, duke i kërkuar deri dhe demarkacion me Malin e Zi. Edhe pse Kosova bëri gjithçka, sërish BE, pa u vënë në sedër, nuk i hoqi vizat.
"Për sa kohë që keni kaq shumë shtete anëtare, për një arsye ose një tjetër, të cilët besojnë se nuk është e drejtë të zgjerohet më tej komuniteti i BE -së, atëherë ne me të vërtetë nuk po shkojmë askund," tha John O’Brennan, një ekspert për integrimin në BE në Universitetin Maynooth në Irlandë. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






