Transmetuar më 30-09-2021, 10:50

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e humbi betejën direkte me ish-lojtarin e tij, Lionel Messi. Të martën në mbrëmje triumfoi argjentinasi me PSG-në, duke dëshmuar se milionat po bëjnë më tepër punë te parizienët se “qytetarët”.

Trajneri i këtyre të fundit befasoi pas kësaj ndeshjeje, duke thënë se është "i dashuruar" jo me Messin, por me dikë tjetër, Marco Verratti. Pavarësisht se gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi golin e tij të parë në Champions për klubin e ri, ishte shoku i skuadrës, Verratti, ai që pushtoi zemrën e Guardiolës:

"Unë jam i dashuruar me të. Verrati është i jashtëzakonshëm. Edhe nën presion, ai arrin të japë ato pasime, të cilat lejojnë që mesfusha të jetë e çliruar. Nuk është një lojtar për pasime të gjata, por gjithmonë mund të mbështetesh tek ai për të ndërtuar lojën.

Ne arritëm ta kontrollonim atë më mirë në pjesën e dytë, por në pjesën e parë ishte vërtet i jashtëzakonshëm. PSG na e mori hapësirën, sepse ka lojtarë të jashtëzakonshëm në sulm, njësoj si dikur trindeti i Barcelonës, Messi-Suarez-Neymar.

Jo shumë ekipe mund t’i kenë këta lojtarë. Është e vështirë ta kontrollosh Messin për 90 minuta. Është e vështirë ta ndalosh atë, na është dashur t’ia minimizojmë mundësitë që të prekte topin. Ne bëmë atë që dimë të bëjmë, mirë apo keq, por jemi ata që jemi. Kësaj here ishte edhe Verratti i jashtëzakonshëm”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd