
PSG mundi Manchester City 2-0 në ndeshjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit, referuar çmimit në treg të dy skuadrave në fjalë. Pjesë e këtij suksesi ishte edhe portieri italian, kampion i Euopës.
Gigio Donnarumma debutoi në kompeticionin kryesor evropian të klubeve me fanellën e parizienëve, kur deri më tani ka ngrohur më shumë stolin. 22-vjeçari iu përgjigj ashpër të gjithë atyre që e kritikojnë për zgjedhjen e bërë:
"Unë qesh me ta. Sa herë që hap telefonin lexoj shumë prej tyre. Nuk më bëjnë përshtypje këto kritika, sepse e di forcën time, e di se kush jam. Unë jam këtu, ndihem i lumtur si pjesë e PSG. Kam pas vetes klubin, që më mbështet gjithmonë. Unë vetëm qesh kur i lexoj gjithë këto marrëzi. Jam mjaft mirë dhe vazhdoj përpara.
Kisha ëndërruar për një natë si ajo e së martës në Ligën e Kampionëve dhe e arrita. Ishte një ndeshje e madhe dhe një gëzim i jashtëzakonshëm. Falënderoj të gjithë njerëzit që kanë qenë pranë meje, nga prindërit tek e dashura ime.
Nuk ishte një periudhë e lehtë, por dola nga situata, sepse kam një familje të jashtëzakonshme. Ruajta qetësinë, sepse e dija që ky moment do të vinte, për ta shijuar me ta.
Është fantastike të luash me gjithë këta kampionë te PSG. Ata të ndihmojnë shumë, të bëjnë të rritesh, diçka e mrekullueshme. Urime edhe Messit për golin e tij të parë me skuadrën tonë, është vërtet një fenomen”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





