Transmetuar më 29-09-2021, 08:16

Në emisionin “Opinion” është publikuar një foto nga momenti ku pretendohet se oficeri i policisë, Saimir Hoxha është qëlluar me armë nga autori i dyshuar, Aldi Rama.

Mësohet se fotoja është shkëputur nga disa kamera sigurie, të vendosura në zonën, e cila është një park natyror i mbrojtur.

Në foto shihet makina e bardhë tip Landrover e policisë së Lezhës dhe makina e errët e autorit dhe dy shokëve të tij. I veshur me të kuqe, është efektivi i policisë Saimir Hoxha.

Pas krimit, 21 vjeçari u largua nga vendngjarja, për t’u arrestuar disa orë më vonë, i vetëplagosur në tentativë për t’i dhënë fund jetës.

Ndërkohë Gazetari Elton Qyno ka zbuluar detaje të reja nga vrasja e efektivit, Saimir Hoxha mëngjesin e sotëm në Lezhë.

Qyno tha në ‘Open’se, dy oficerët që ishin me efektivin që mbeti i vrarë, kanë qëlluar të paktën 8 herë ndaj 21 vjeçarit, Aldi Rama, autorit të krimit.

Të shtënat erdhen pasi ky i fundit u fut në makinën e shokut të tij, duke u larguar më shpejtësi, i vetëm nga vendngjarja. Vrasësi është lokalizuar nëpërmjet telefonit të tij.

“Dy efektivët janë kundërpërgjigjur, kanë qëlluar tetë herë. Autori i krimit është futur në makinë dhe ka ikur me të. Dy shokët e tij i ka lënë në rrugë të tmerruar. Autori largohet në një distancë 1 km nga vendngjarja dhe pastaj e braktis makinën dhe futet në lagunën e Lezhës, aty ku flitet se u zhduk edhe Remzi Hoxha. Është një zonë e vështirë, prandaj u desh ndërhyrja nga ajri. U identifikua përmes numrit të telefonit. Numri i tij u vendos në përgjim dhe u lokalizua menjëherë. Ai ka pasur telefonata hyrëse, por nuk i është përgjigjuar asnjërës”, tha Qyno.

Sipas Qynos, pas krimit, 21 vjeçari tentoi vetëvrasjen.

"E kanë marrë në telefon familjarë, shoqëri e njerëz të njohur që me siguri kishin dashur t’i japin një këshillë. Pista e vetëvrasjes ka qenë që në momentin e parë, pasi nuk i përgjigjej asnjë mesazhi e asnjë telefonate. Policia e gjeti në një kanal. Kishte një plagë nga pjesa e djathtë në të majtë. Kemi të bëjmë me një tentativë vetëvrasjeje", u shpreh gazetari.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd