Transmetuar më 28-09-2021, 11:30

Një paraqitje e shkëlqyer në debutimin e “San Siro” kundër Real Madridit, pavarësisht humbjes. Interi është gati të ngrejë kokën dhe të dalë në fushë për të fituar pikët e para në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Përballë do të ketë Shakhtar Donetsk, i cili humbi 2-0 kundër Sherif Tiraspol në debutimin e vet.

Duke folur në prag të ndeshjes në stadiumin olimpik të Kievit, Simone Inzaghi foli për sfidën dhe momentin e Interit të tij, i cili barazoi në Milano kundër Atalantës në raundin e fundit të kampionatit:

"Ukrainasit kanë bërë një udhëtim të mrekullueshëm, më kujtohet ajo ndeshje në të cilën shënova vetë si futbollist, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Shakhtar ka bërë një përparim të madh, iu afrua finales së Ligës së Evropës dy vite më parë, është një ekip ambicioz, i cili të krijon mjaft probleme.

Nuk është ende sfidë vendimtare, por shumë e rëndësishme. Shakhtar është një ekip i shkëlqyer, i stërvitur shumë mirë, i cili luan mirë futboll dhe me individualitete të rëndësishme. Ne do të duhet të jemi në një formë të mrekullueshme. Ne vijmë nga një ndeshje, ku kemi bërë mirë, kundër një ekipi shumë të fortë si Atalanta".

Inzaghi, gjithashtu foli për trajnerin kundërshtar, italianin Roberto De Zerbi, i cili mbërriti në verë në krye të klubit ukrainas: "De Zerbi po përpiqet të sjellë idetë e tij të futbollit, ka qenë shumë i mirë në dy muaj e gjysmë. Ka bërë ndryshime të vogla, bazuar në lojtarët që gjeti këtu, të cilët kanë vlerë absolute”.

Trajneri i Interit analizon ekipin e tij pas ndeshjeve të para zyrtare të sezonit të ri: "Synoja një ekip që reagon dhe luan mirë. Unë mendoj se këto dy gjëra janë parë në këto 6 ndeshjet e para. Ne do të duhet të gjejmë më shumë ekuilibër”.

Në fund, Inzaghi nënvizon nevojën për të vuajtur më pak: "Ne jemi një ekip ofensiv, që pëlqen të zhvillohet gjerësisht. Duhet të kemi më shumë ekuilibër, duke mos shtrembëruar idetë tona të lojës dhe duke u përpjekur për të krijuar, siç po bëjmë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd