Transmetuar më 28-09-2021, 10:00

Sonte, prej orës 21:00, do të startojë kryesfida e grupit A kualifikues e Ligës së Kampionëve, PSG-Manchester City. Në prag të kësaj finaleje të parakohëshme, Pep Guardiola foli veçmas për kundërshtarin Lionel Messin, kësaj here jo me fanellën e Barcelonës, por të një skuadre tjetër. Kjo i duket e pabesueshme, por është fakt tani:

“Messi te PSG? Ishte një surprizë, por të gjithë e kanë pranuar atë. Disa vite më parë askush nuk mund ta kishte imagjinuar. Në futboll, askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë në një afat të shkurtër. Këto lloj lojtarësh flasin vetë në fushë, nuk kam pse të shtoj më shumë. Ne kemi qenë me fat që e kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo që ka arritur në karrierën e tij është më se e jashtëzakonshme, shpresoj që sot të luajë për të mirën e futbollit. Messi-Mbappé-Neymar? Ata janë të jashtëzakonshëm. Si t’i ndalosh? Nuk e di, janë shumë të mirë. Talenti është shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Ne do të përpiqemi të mbrohemi mirë kur të mos e kemi topin.

Potenciali i PSG? Barcelona e Luis Enrique kishte lojtarë të jashtëzakonshëm. Ky PSG ka lojtarë në të njëjtin nivel, por futbollit i duhet kohë, edhe pse njerëzit ndonjëherë nuk e japin atë. Për shumë vite, PSG ka pasur lojtarë shumë të mirë. Ne duhet të mbrohemi si një ekip, nuk mund të bëjmë presion për të mbrojtur një lojtar të vetëm. Duhet të jemi të bashkuar si grup në këtë ndeshje.

Niveli i Gabriel Jesus? Gjëja e rëndësishme për të është se ndihet i dashuruar dhe i lumtur, teksa po provon ndjesinë e të bërit baba. Urime atij dhe partneres. Jesus po jeton një fazë të madhe në jetën e tij”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd