Transmetuar më 27-09-2021, 12:53

Pele, të shtunën përgëzoi publikisht Lionel Messin për thyerjen e rekordit të tij si golashënuesi më i mirë në kombëtaret e Amerikës së Jugut, por i kërkoi falje yllit argjentinas për vonesën në këtë urim.

“Hat-trick” i Messit në kualifikuesen e Kupës së Botës, Argjentinë-Bolivi, më 9 shtator erdhi vetëm katër ditë pasi legjenda braziliane Pele iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tumorit në zorrën e trashë.

"Përshëndetje @leomessi, më fal nëse jam vonë. Megjithatë, nuk doja të humbisja rastin për t’ju përgëzuar për një rekord tjetër të thyer në fillim të këtij muaji, – shkroi Pele në Instagram. – Talenti juaj kur luani futboll është i jashtëzakonshëm! Shpresoj se do të arrini edhe më shumë, së bashku me miqtë e mi @k.mbappe dhe @neymarjr (te PSG)".

Messi tejkaloi rekordin e Pele me 77 gola ndërkombëtarë në krejt kombëtaret e Amerikës së Jugut. Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” tani krenohet me 79 në karrierën e tij, me Argjentinën. Të premten, vajza e Pele tha se babai i saj 80-vjeçar ka bërë "disa hapa" drejt shërimit, pas operacionit të kryer tri javë më parë.

"Këto ditë të fundit, ai ka ndërmarrë disa hapa, – shkroi Kely Nascimento në një mesazh në Instagram me fotot e të dyve duke luajtur letra, ku Pele shfaqet duke buzëqeshur. – Ai më mësoi se si të luaj një lojë me letra dhe po më mund".

Të mërkurën, Nascimento kishte postuar një video të Pele duke kënduar himnin e Santos, ish-klubit të tij. I konsideruar nga shumë njerëz si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, Pele ka qenë në gjendje të dobët shëndetësore vitet e fundit, duke përfunduar disa herë në spital.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd