
PËRDITËSIM LIVE/ Gjermanët po zgjedhin një parlament të ri federal, duke vendosur se kush do t’i qeverisë ata për katër vitet e ardhshme
MINUTË PAS MINUTE
22:20 | Projeksioni i parë i bazuar në rezultatet fillestare sugjeron një garë të ngushtë midis dy palëve kryesore.
Humbje të ndjeshme për Unionin pas epokës Merkel
Rezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë SPD sipas llogaritjeve të para(19:59) kryeson lehtë. Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani, por gjithçka tani varet nga Të Gjelbrit dhe liberalët.
CDU si e paralizuar. Entuziazëm tek qendra e Partisë Socialdemokrate, SPD. Këto zgjedhje në Gjermani po japin shenjat e ndryshimit të pushtetit. CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme, dhe shënoi rezultatin më të dobët të të gjitha kohërave në federatë. Sipas llogaritjeve të para – aktualizim i orës 19:59 – Infratest dimap/ARD – CDU/CSU arrin në 24,5%, rreth 8,2 pikë më pak se në vitin 2017, kurse SPD-ja 25,5%, rreth 4,4% pikë më shumë. Të Gjelbrit renditen të tretët me 13,8% para FDP-së me 11,7%, partia populiste e djathtë, AfD arrin 10.9%. Të Majtët pësuan humbje të ndjeshme dhe arritën vetëm kufirin 5%.
Me këtë rezultat (parapak) rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve, roli i tyre është përcaktues në një koalicion të ri. Por vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë, se cilat parti do të krijojnë qeverinë e re në Gjermani. Në vitin 2017 kjo fazë zgjati gati një gjysmë viti.
Pokeri politik fillon
Pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit filloi pokeri politik. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, dukshëm i tronditur pas prognozave të patra, foli disa herë për "humbje të hidhura", që duhen analizuar. Në të njëjtën kohë ai u shpreh për një "koalicion të së ardhmes me Unionin, FDP-në dhe Të Gjelbrit". Ky koalicion thirret koalicioni Xhamajka në Gjermani, duke iu referuar flamurit të shtetit të Karaibeve. "Duhet të bëjmë atë që është e mirë për vendin tonë", tha Ziemiak.
Mes selisë së CDU-së, Konrad Adenauar Haus dhe selisë së SPD-së, Willy-Brandt-Haus ka një distancë prej 3,5 kilometrash, por e diela zgjedhore e zmadhoi shumë këtë distancë. Ai është "shumë krenar" për partinë e tij, tha ministri aktual i Punës, Hubertus Heil në një vlerësim të parë. CDU ka humbur, SPD shtoi votat. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil shikon shprehimisht dhënien e mandatit nga votuesit për krijimin e qeverisë së re.
Tendenca
Me këtë konfirmohen në tendencë rezultatet e sondazheve, që të linin të kuptoje një ndryshim pushteti. Para gati një muaji, SPD për herë të parë në një sondazh të Forsas-s parakaloi CDU-në në preferencën e votuesve. Për një kohë madje kjo diferencë arriti 4 pikë. Prej 19 vitesh ishte Unioni që kryesonte sondazhet. Votimet e së dielës konfirmuan, se rezultati doli shumë më i ngushtë, se e mendonte SPD-ja. Por Unioni megjithatë është humbësi i së dielës.
Pjesëmarrja në votime sipas të dhënave ka qenë rreth 76%. Kjo i përgjigjet po asaj pjesëmarrjeje si në zgjedhjet e vitit 2017, 76,2%. E pazakontë ishte se në Berlin u votua edhe pas orës 18:00, sepse para qendrave të votimit ishin krijuar radhë të gjata votuesish, ose edhe sepse mungonin fletëvotime.
Laschet me pretendim për qeverisje
I pari nga të tre kandidatët për kancelar që doli para kamerave ishte Armin Laschet. Ai foli për një situatë të pazakontë, për herë të parë vendi duhet të drejtohet nga një koalicion me tre parti. Laschet formuloi pretendimin për postin e kancelarit. Ai theksoi qartë aspektet e ekonomisë dhe mbrojtjes së klimës. Laschet ishte ulur që në orën 17:00 në katin e fundit të Konrad Adenauer Haus së bashku me kancelaren Merkelpër të pritur rezultatet. Ditët e ardhshme do të jenë shumë intensive tek kristiandemokratët, pavarësisht çështjes së koalicionit.
Pas Laschetit doli para kamerave, kandidati i socialdemokratëve, Olaf Scholz, i pritur me entuziazëm. Ai iu referua shtimit të votave të partisë së tij, dhe humbjeve tek Unioni. Scholz theksoi, se me këtë rezultat mandati për qeverinë i përket SPD-së. Kështu ka shumë shenja për një garë të fortë mes Unionit dhe SPD-së, se kush do të bëjë për vete Të Gjelbrit dhe liberalët.
Për herë të parë parlamenti i ri, Bundestagu, sipas deklaratave në ditën e zgjedhjeve, do të mblidhet në datën më të vonë të mundshme më 26 tetor. Por që të martën do të takohen disa grupe parlamentare për seancat e para, ku zgjidhen krerët e grupeve parlamentare. Tek Unioni priten përplasje, e mund të shtrohet edhe çështja e ndryshimeve në drejtim.
Zgjedhjet përfunduan, shenjat janë për ndryshim pushteti, por shumë çështje mbeten të hapura.
20:09 – Është ende e paqartë nëse konservatorët e kancelares në largim, Angela Merkel, apo SPD e qendrës së majtë kanë fituar
19:56 – Performanca më e keqe e konservatorëve ndonjëherë, por udhëheqësi Armin Laschet thotë se është ende shpejt të dilet në përfundime
19:37 – Rivali i qendrës së majtë Olaf Scholz ka pasur një pritje të zjarrtë nga mbështetësit, por thotë "le të presim dhe të shohim"
19:08 – Cilatdo që të jenë rezultatet përfundimtare, hapi tjetër është formimi i një koalicioni
18:54 – Të Gjelbrit dhe FDP -ja liberale do të kërkojnë një rol në qeveri
18:43 – Në lojë është beteja për të pasuar Angela Merkelin si kancelare pas 16 vitesh në pushtet
18:08 – Por me garën kaq të ngushtë, ne mund të presim me javë për të gjetur se kush do të marrë "fronin"
17:50 | Radhë të gjata në qendrat e votimit në Berlin
Zyrtarët zgjedhorë në Berlin thonë se pjesëmarrja është shumë e lartë në kryeqytetin gjerman
Në Berlin, votuesit po marrin pjesë gjithashtu në zgjedhjet shtetërore dhe lokale si dhe po hedhin votën edhe për një referendum mbi një masë që synon të kufizojë pronarët më të mëdhenj.
Numri i votuesve – dhe numri i fletëve të votimit që u nevojiten secilit – bën që njerëzit të presin për një orë e gjysmë për të hedhur votat e tyre.
17.46: Parashikimet e bazuara në daljet e sondazheve do të publikohen menjëherë pas mbylljes së votimeve
BERLIN – Më shumë se 60,4 milionë zgjedhës në Gjermani janë thirrur këtë të diel që të votojnë për Bundestag-un e ri. Në sondazhe ka kryesuar me pak diferencë SPD me kandidatin për kancelar Scholz i ndjekur nga CDU/CSU kandidatin Laschet.
Rezultati i zgjedhjeve konsiderohet i hapur dhe duket se mes socialdemokratëve (SPD) dhe unionit konservator (CDU/CSU) diferenca mund të jetë fare e ngushtë.
Në vend të tretë renditet në sondazhe kandidatja e ekologjistëve "Të Gjelbërit", Annalena Baerbock. Partia liberal-demokrate FDP synon sërish të arrijë një kuotë mbi 10% të përfaqësimit në parlament.
Partia populiste e djathtë AfD gjithashtu pritet të jetë sërish e përfaqësuar në Bundestag (parlamenti gjerman).
Partia "E Majta" sipas sondazheve mund të pësojë humbje elektorati, por sërish pritet të jetë e përfaqësuar në parlament.
Qendrat e votimit, të hapura nga ora 8:00 so të jenë edhe pak hapir, deri në 18:00.
Sistemi elektoral në Gjermani parashikon dy lloj votash, vota e parë për kandidatët e qarqeve për në parlament dhe vota e dytë për partitë. Eshtë pikërisht vota e dytë për partitë që në bazë të numrit të votave përcakton edhe partinë me përqindjen më të lartë e si rrjedhojë edhe se kush do të jetë kancelare apo kancelar.
Pra vota e dytë për partinë është përcaktuese edhe për kancelarin. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.
Gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje – kaq shumë nuk ka pasur asnjëherë më parë në garë që pas ribashkimit të Gjermanisë.
Në Bundestag-un e 20 gjerman sidoqoftë me gjasë do të përfaqësohen vetëm gjashtë partitë e sipërpërmendura.
Kancelarja Angela Merkel pas 16 vjetësh në këtë post nuk rikandidon më.
Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 në Gjermani të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti.
Asnjëra nga partitë me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh.
Kësisoj konstelacionet e mundshme janë nga më të ndryshmet, si më realiste duken modelet:CDU/CSU – Të Gjelbërit – FDP, ose opcioni SPD – TË Gjelbërit– FDP. Në një koalicion të tillë do të ishte mjaft e vështirë ujdia për përmbajtjen e marrëveshjes së koalicionit për shkak të koncepteve politike me dallime të mëdha mes këtyre partive.
Një koalicion SPD – Të Gjelbër – Të Majtë duket më pak i mudnshëm duke iu referuar shifrave nga sondazhet paraelektorale. Ndërsa një aleancë me partinë popiliste të djathtë AfD e përjashtojnë të gjitha partitë.
Prej javësh ka qenë evidente, se edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit – ka një shifër rekord të votimit në distancë përmes postës. Rreth 40 përqind e votave mund të jenë dërguar me postë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd







