
Nëntë ndeshje zyrtare, shtatë stola, dy prezenca në portën e PSG. Donnarummës nuk i dalin llogaritë. Fillimi i tij është shumë i ndryshëm nga ai që pritej. Portieri italian e dinte se do të rivalizonte me Keylor Navas, por nuk e imagjinonte të ishte zëvendësuesi i tij, siç po ndodh.
Sipas “Corriere della Sera”, shumë thjesht, "Donnarumma nuk është i lumtur". Ai arriti nën Kullën Eifel si lojtari më i mirë në “Euro 2020” dhe tani ndihet i izoluar në projektin e ri që ndërmori. Pasi u kthye në stol kundër Metz, pas paraqitjeve me Clermont dhe Lyon, shqetësimi i është shtuar.
Gazeta e njohur italiane siguron se agjenti i tij, Mino Raiola, është gjithashtu i mërzitur. Dhe një surprizë e madhe nuk përjashtohet: kalimi i 22-vjeçarit te Juventusi. Bardhezinjtë e kërkuan atë pranverën e kaluar, por ardhja e Allegrit, i cili preferoi Szczesny, i dha fund idesë.
Tani, megjithatë, polaku po ngre shumë pikëpyetje me paraqitjet e këtij fillim sezoni, ndaj drejtuesit e klubit po mendojnë të kthehen në sulm për Donnarumma, verën e ardhshme. Me siguri, portieri i kombëtares italiane nuk do të pranonte një sezon tjetër si zëvendësues në Paris.
Keylor Navas ka kontratë deri në vitin 2024 dhe, gjithmonë sipas “CorSera”, Di Maria, Paredes, Marquinhos, Neymar dhe shoku i tij, Messi, bëjnë presion te trajneri Pochettino që të aktivizojë kostarikanin, edhe pse nuk kanë asgjë kundër Donnarumma.
Nuk do të jetë e lehtë për Pochettino, të menaxhojë këtë situatë, duke shmangur polemikat. Për argjentinasin, këtë vit, asgjë nuk do të jetë e lehtë, në fakt, sikurse e tregoi edhe zëvendësimi që i bëri së fundi Messit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





