
Policia në Shkodër ka kryer operacionin e koduar “Buna 2021”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në qarkun e Shkodrës, ku u vunë në pranga 8 persona, ndërsa u shpall në kërkim 1 tjetër.
I kërkuari është një infermier që bënte pisllëqe duke shitur metadon për narkomanë nën terapi rehabilitimi.
Operacioni
Specialistët e Sektorit për Narkotikët, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, gjatë operacionit bënë ekzekutimin e 6 vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëtarët e një grupi kriminal që merrej me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, konkretisht:
Arjan Cerjani, 49 vjeç, Enkeledia Cerjani, 40 vjeçe, Leart Cerjani, 19 vjeç, Luis Cerjani, 21 vjeç, Emiljan Hajdaraj, 44 vjeç, Gjergj Pllumbi, 34 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi R. I., 35 vjeç, me detyrë infermier pranë Spitalit Rajonal Shkodër. Vijon puna për kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se aktiviteti i këtij grupi kriminal është shtrirë gjatë një kohe të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës.
Noa.al raporton se janë dokumentuar shumë raste të shkëmbimit të medikamenteve midis shtetasve R. I. dhe A. C. Më pas, këto medikamente, të arrestuarit e tjerë ua shisnin personave të ndryshëm që ishin në terapi nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 4 armë zjarri, 6 thika, një sasi metadoni, një automjet e sende të tjera.
Operacioni ka vijuar në unazën lindore të qytetit të Shkodrës. Bazuar dhe në informacionet e marra gjatë zhvillimit të operacionit, si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Indrit Ishmakej 26 vjeç dhe Valentin Plenishta, 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre dy të rinjve dhe në banesën e shtetasit Indritit, policia gjeti dhe sekuestroi doza me kokainë, një sasi kanabisi dhe një armë zjarri pistoletë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





