Transmetuar më 23-09-2021, 07:28

Kombëtarja shqiptare e femrave u përball me Belgjikën në sfidën e dytë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023”, të cilën e humbi thellë 7-0. Femrat/ Belgjika shumë e fortë, i shënon 7 gola Shqipërisë.

Vajzat kuqezi, të drejtuara nga Armir Grima e nisën ndeshjen me këtë formacion: Doçi (c), Rexhepi, Hilaj, Curraj, Maliqi, Hamidi (Begallo 85’), Elezaj, Gjini, Maksuti (Flija 90’) Franja, Levenaj (Krasniqi 46’).

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “King Baoudoin”, belget kaluan në avantazh që në minutën e 6-të të takimit me Cayman, ndërsa pas 20 minutash shënoi edhe Lea De Caigny. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, me skuadrën kuqezi që krijoi disa raste, por nuk e gjeti dot rrjetën kundërshtare.

Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Grima vendos të hedhë në fushë Qëndresa Krasniqin, e cila zëvendëson Vanesa Levenaj, ndërsa pesë minuta para fundit të takimit, Sara Begallo merr vendin e Mimoza Hamidit. Në minutën e 90-të të takimit, Grima hedh në lojë Caitlin Flija, e cila zëvendëson Kristina Maksutin.

Skuadra belge shënoi edhe pesë gola të tjerë në këtë pjesë të dytë, duke vulosur rezultatin final me shifrat 7-0.

Kjo ishte ndeshja e dytë për Kombëtaren e femrave, që merr kështu humbjen e parë ndaj një rivaleje shumë të fortë, siç është Belgjika, teksa në ndeshjen e parë barazoi me rezultatin 1-1 me Kosovën në “Elbasan Arena”. Shqipëria gjendet në vendin e pestë, me një pikë, ndërsa në vendin e parë renditet Norvegjia me gjashtë pikë të plota.