Transmetuar më 22-09-2021, 08:40

Lajm shumë i mirë për kombëtaren tonë kuqezi. FIFA ka dënuar Hungarinë, kundërshtarin tonë direkt në grupin kualifikues të “Katar 2022” me dy ndeshje pa tifozë, për shkak të problemeve raciale me tifozët në sfidën e fundit në shtëpi kundër Anglisë. E thënë ndryshe, kombëtarja shqiptare do të luajë në një stadium të zbrazët më 9 tetor në Budapest, ose Hungaria do të vuajë mungesën e të ashtuquajturit “lojtar i 12-të”.

Në njoftimin përkatës të këtij penalizimi të FIFA-s thuhet se “Hungaria është urdhëruar të luajë dy ndeshje me dyer të mbyllura, pasi lojtarët e kombëtares së Anglisë u abuzuan racialisht në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës”.

Anglia e fitoi ndeshjen 4-0 dhe lojtarët e saj u përballën me racizmin frenetik nga tifozët vendës gjatë gjithë lojës, më 2 shtator. Po kështu, Federata Hungareze e Futbollit është gjobitur me 158.400 £ për shkeljen.

"FIFA mban një qëndrim të qartë me zero tolerancë kundër sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll, – thotë FIFA në një deklaratë. – Ne jemi të vendosur në refuzimin e çdo forme racizmi dhe dhune, si dhe çdo formë tjetër diskriminimi apo abuzimi".

Kujtojmë se Federata Hungareze e Futbollit u gjobit me 85.000 £ nga UEFA dhe iu dha një urdhëri për të luajtur tri ndeshje me dyer të mbyllura për veprime diskriminuese nga tifozët gjatë “Euro 2020”.