Transmetuar më 21-09-2021, 17:20

Hidhet nga kati i 12 për t’u vetvrarë, por i merr jetën edhe një kalimtari.

Një burrë që kreu vetëvrasje në Nju Jork ka vrarë një person tjetër gjatë këtij veprimi, pasi ra mbi të, tha policia.

25-vjeçari kërceu nga një ndërtesë në Yonkers të Nju Jorkut të hënën, duke rënë mbi një burrë 61-vjeçar në një çati betoni të garazheve për parking, thuhet në të dhënat paraprake të policisë lokale.

Autoritetet njoftuan se të dy burrat vdiqën në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për rastin dhe po merr në pyetje dëshmitarët dhe familjarët e dy të vdekurve. Autoritetet po analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

“Incidenti duket se ka qenë situatë tragjike dhe hetimet janë duke vazhduar. Policia shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të të dy burrave”, thuhet në deklaratën e policisë.

Një incident i ngjashëm ndodhi në Shtetet e Bashkuara edhe në prill të këtij viti në San Diego, kur u raportua se një burrë që kishte kërcyer nga garazhet kishte rënë mbi një grua dhe të dy kishin mbetur të vdekur.