Transmetuar më 21-09-2021, 15:32

Zëvendëskryeministri Erion Braçe kishte ditën e tij të fundit në zyrë dhe publikisht ka demonstruar me video se po ikte dike flakur karrigen e tij dhe duke lënë në zyrë librin "Vrasja e Kryeministrit".

Siç shikoni dhe videon e mëposhtme, Braçe ka bërë një filmim të qëllimshëm të këtyre detajeve duke shkruar dhe disa rreshta për fundin e karrierës si Zv.kryeministër.

Braçe pohon se vërtet e mbylli detyrën zyrtarisht të premten, por në të vërtetë, puna sipas tij në qeveri i ishte mbyllur prej kohësh, siç shprehet, "qyshkur u kufizua në limitet e rutinës që herë më ngjante me dezhurnin në gjimnaz dhe, herën tjetër me detyrimin për të respektuar nje kod etike me marrëdhënie brenda" dhe vijon:

"Një përvojë e çuditshme pushteti, përvojë karrigeje, e komplikuar, që as e doja e as e kërkova – ma kërkuan, as e pranova si të tille e as më pranoi.

Por e vlefshme gjithesesi; Nga jashtë nuk do ta kisha njohur kurrë deri në detaje. Madje edhe veten, vënë në provë kush e di sa herë nga dallimi mes asaj që vjen si dëshirë, strukturohet si mendim, arrin në veprim dhe tamam këtu bëhet i pamundur, madje edhe tjetërsohet, shoqëruar nga pamundësia për të folur, shpjeguar e mbrojtur publikisht – Kodi Etik.

Një gjë ia them kujtdo ama: Pata lirinë të kundërshtoj, të them JO; Kam votuar pro me bindje, kam firmosur po aq i bindur çdo vendim në favor të së mirës publike, ashtu sic kam firmosur formalisht, sipas ligjit për shkak të kryesimit të mbledhjes, shoqëruar me mendimin tim kundershtues në përputhje me parimet e bindjet e mia; Nuk hyra si hajdut, nuk dola si hajdut!

Në 2 vite e gjysmë kuptova që e gjitha është çështje vullneti, të vjedhësh ose jo, të lejosh të vjedhin ose jo; patjetër çështje drejtësie".

Në fund të mesazhit publik, Braçe ka uruar me një listë të gjatë shumë zyrtarë dhe ka falënderuar të gjithë ministrat e punonjës të tjerë e deri dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim, e plot ambasadorë të tjerë, por në asnjë moment jo, Edi Ramën!