Transmetuar më 18-09-2021, 23:46

Nga Owen Jarus

Majat kanë jetuar në Amerikën Qendrore dhe Gadishullin Jukatan të paktën që prej vitit 1800 Para Krishtit, dhe lulëzuan në rajon për mijëra vjet. Sipas shumë studimeve, qytetërimi Maja u shemb midis viteve 800-1000 Pas Krishtit.

Por ndonëse termi “kolapsi i Majave” të sjell ndërmend imazhe të rrënojave të mbuluara nga pyjet e harlisura, dhe ato të një qytetërimi të lashtë, qytetet e të cilit ranë dhe u braktisën, realiteti është shumë më kompleks. Atëherë pse u rrëzua qytetërimi Maja, dhe a mund të quhet në fakt një “kolaps”?

Së pari, populli Maja ekziston ende sot. “Ishte sistemi politik i Majave ai që u shemb, dhe jo shoqëria e tyre”- thotë Liza Lusero, profesoreshë e antropologjisë dhe studimeve mesjetare në Universitetin e Ilinoisit në Çikago SHBA.

“Këtë e dëshmojnë mbi 7 milionë njerëz të komunitetit Maja që jetojnë ende sot në Amerikën Qendrore dhe më gjerë”- thekson ajo. Majat e lashtë nuk kishin një udhëheqës qendror, siç ishte perandori në Romën e lashtë, dhe as nuk ishin të bashkuar në një shtet të vetëm.

Përkundrazi, qytetërimi i lashtë Maja përbëhej nga shtete të shumta të vogla, secili i përqendruar rreth një qyteti. Ndërsa këto qytet-shtete kishin ngjashmëri në kulturë dhe fe, secili kishte udhëheqësit e vet lokalë, ku disa ishin më të fuqishëm se të tjerët.

Nuk pati asnjë kolaps të politikat e tyre. Përkundrazi, disa qytet-shtete Maja u ngritën dhe ranë në periudha të ndryshme. Sipas studiuesve disa ranë brenda periudhës kohore midis viteve 800-1000, dhe të tjerat më vonë.

Për shembull, ndërsa zonat në Mesoamerikën jugore, si Tikali, në atë që është sot Guatemala, ranë në shekujt XVIII dhe XIX për shkak të problemeve mjedisore dhe trazirave politike, popullsia u rrit në zona të tjera, të tilla si Çiçen Ica, në atë që sot është Gadishulli Jukatan në Meksikë.

“Kolapsi nuk është një term që duhet të përdoret në mënyrë universale për Majat, të cilët nuk duhet të përshkruhen me një term të vetëm”- thotë Merilin Mejzën, profesoreshë dhe drejtuese e antropologjisë në Universitetin Albani në Nju Jork. “Rajoni ku shtriheshin Majat ishte shumë i madh, me shumë politika dhe mjedise, dhe me gjuhë të ndryshme”- thekson ajo.

Kur Çiçen Ica ra, kryesisht për shkak të një thatësire të gjatë shekullit XI-të, nisi të lulëzojë një qytet tjetër në Gadishullin Jukatan, Majapan. “Majapan kishte padronë tokash, priftërinj, qindra libra fetarë me hieroglife, një astronomi komplekse dhe një panteon Zotash.

Pjesa më e madhe e asaj që dimë mbi fenë e hershme të Majave, vjen nga librat e shkruar në kohën e artë të Majapan dhe nga popullatat pasardhëse, që u takuan dhe i mbijetuan kontaktit me evropianët”-shton Mejzën.

Ndërsa Majapan u rrëzua si qytet që para kontaktit me evropianët, pjesërisht për shkak të luftës, një vend tjetër në Gadishullin Jukatan i quajtur Ti’ho ishte duke u zhvilluar me shpejtësi në kohën kur atje mbërritën evropianët.

Qytet-shtetet Maja vazhduan të ekzistojnë edhe pasi rajoni u shkatërrua nga lufta dhe sëmundjet e shkaktuara nga pushtimet evropiane në Amerikën Qendrore. “Ne duhet të mos harrojmë se shteti i fundit Maja, Nojpetén, ra vetëm në vitin 1697, pra në kohët moderne”- thotë Gai Midëllton, studiues në Shkollën e Historisë, Klasikëve dhe Arkeologjisë në Universitetin e Njukasëllit në Britaninë e Madhe.

Po pse ranë Majat?

Zakonisht, një përzierje e problemeve politike dhe mjedisore cilësohet si përgjegjëse për rënien e qyteteve Maja. Analiza e speleotemave, pra strukturave shkëmbore në shpella të tilla si stalaktitet dhe stalagmitet, tregon se “disa thatësira të rënda shumëvjeçare goditën rajonin midis viteve 800-930” në rajonin jugor të Mesoamerikës, thotë Lusero.

“Dhe meqë mbretërit më të fuqishëm Maja mbështeteshin tek rezervuaret urbane për të tërhequr fermerët gjatë sezonit të thatë të vitit për të pasur qasje tek uji i pijshëm i pastër, mungesa e reshjeve të shiut nënkuptonte rënien e nivelit të ujit, dështimin e të korrave, dhe humbjen e fuqisë së këtyre mbretërve. Për më tepër, rënia e sasisë së reshjeve të shiut,e përkeqësoi çdo problem që kishin mbretërit deri në atë moment”- tha ajo.

Fakti që sundimtarët Maja i lidhnin shpesh fuqitë e tyre me Hyjnitë,u krijoi më shumë probleme politike. Problemet që përjetuan Majat për shkak të thatësirës“bënë që njerëzit ta humbnin besimin tek sundimtarët e tyre, dhe kjo është shumë më tepër sesa thjesht të humbasësh besimin tek qeveria kur sundimtarët e tu janë të lidhur ngushtë me Hyjnitë”- deklaron Xhastin Shou, profesoreshë e antropologjisë në Kolegjin e Reduds në Kaliforni. Shou thotë se thatësira, e kombinuar me trazirat politike, solli rrënimin e bujqësisë, dëmtoi rëndë mirëmbajtjen e sistemeve të vaditjes,dhe kjo bëri që sundimtarët Maja të humbnin burimet që përdornin zakonisht në luftë.

Lusero vë në dukje se në disa zona Majat vuajtën pasojat e shpyllëzimeve, ndërsa nivelet më të ulëta të ujit e bënë më të vështirë tregtimin e mallrave. “Reduktimi i sasisë së reshjeve ka të ngjarë të ketë ndikuar në tregtinë që zhvillohej përmes kanoeve”- nënvizon Lusero.

Gjithsesi, një “kolaps” në një zonë mund të sillte një periudhë “bumi” në një zonë tjetër. Rajoni Koçua në Gadishullin Jukatan lulëzoi gjatë viteve 800-930, pasi pjesa më e madhe e jugut u shpopullua për shkak të thatësirës dhe konflikteve politik. “Por në fund edhe ajo zonë humbi shumë nga banorët e saj”- thotëShou. Gjithsesi arsyet pse Koçua lulëzoi dhe u rrëzua janë duke u studiuar.

Ky model i rënies në një zonë dhe rritjes në një tjetër, vazhdoi edhe gjatë kohës së konfliktit midis evropianëve dhe qytet-shteteve Maja. Problemet politike dhe mjedisore, çuan shpesh në rënien e një zone, ndërsa një zonë tjetër lulëzonte ndoshta sepse ata nuk vuanin aq shumë nga këto probleme.

Pasi qytet-shteti i fundit Maja u pushtua nga spanjollët në vitin 1697, populli Maja vazhdoi të ekzistojë, duke duruar diskriminimin dhe nganjëherë duke u revoltuar kundër Spanjës dhe qeverive që erdhën në pushtet pas fundit të sundimit kolonial spanjoll në vitin 1821.

“Majat kanë vuajtur shumë. Ata janë rebeluar vazhdimisht, por pa sukses. Sot atyre u mungon përfaqësimi i duhur politik në vendet ku jetojnë. Është realisht e rëndësishme të kuptohet se ndonëse qytet-shtetet më klasike të Majave u shembën dhe kultura u transformua, Majat nuk u zhdukën asnjëherë”- thotë Midëllton. / “Livescience”