Transmetuar më 18-09-2021, 14:01

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Tiranë. Një djalë rreth 30-vjeç ka mbërritur në një nga komisariatet e kryeqytetit i gjakosur në fytyrë, për të bërë një denoncim. Ai ka treguar para efektivëve të policisë se është dhunuar në vendin e punës, një biznes në pronësi të bashkëshortit të motrës së tij. Sipas dëshmisë të të riut, aty kanë mbërritur persona të armatosur, e kanë futur në një makinë dhe e kanë goditur. Autori tregon se ngjarja ka ndodhur pranë biznesit ku punonte duke ngritur dyshime edhe për zonën nga ishin dhunuesit. I riu la rrëfyer se dyshon që personat në fjalë kanë mbërritur në biznesin e kunatit të tij për të vendosur gjobë.

“Nuk e di si kam shpëtuar prej tyre. Ishin diku te 10 persona, prej tyre kishte të armatosur. Janë nga zona e Mamurrasit. Erdhën me makina me xhama të errët. Njëri më drejtoi armën. Pastaj më goditi duke më shkaktuar plagë me qytën e saj në kokë. Nuk dija ç’të bëja. U ndjeva në rrezik”.

Pas denoncimit në komisariat i riu i është drejtuar Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë policia la nisur hetimet për identifikimin e personave që ka denoncuar 30-vjeçari dhe vënien e tyre para drejtësisë. Ende policia e kryeqytetit nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen. Burime nga Policia i thanë Fax News se fillimisht është marrë një denoncim për diçka të tillë me telefon, më pas i riu është paraqitur në komisariat për të denoncuar. Momentalisht po hetohet nga Policia Kriminale për të provuar vërtetësinë e denoncimit.