Transmetuar më 18-09-2021, 00:49

Sekretari i Transportit thjeshton rregullat e udhëtimit, thotë se do të ulen kostot. Testimi i shtrenjtë u hoq vetëm për të vaksinuarit, të tjerët do bëjnë tamponë pafund. Destinacionet do të renditen vetëm me rrezik të lartë ose të ulët

LONDËR – Britania e Madhe thjeshtoi të Premten rregullat për udhëtimet ndërkombëtare në Angli në një përpjekje për lehtësimin e industrisë së turizmit, duke përfshirë heqjen dorë nga detyrimi që udhëtarët e vaksinuar të bënin teste të shtrenjta COVID-19 pas mbërritjes nga vendet me rrezik të ulët.

Kjo do të thotë që njerëzit që kthehen nga vende të tilla si Turqia nuk do të duhet të qëndrojnë më në karantinë hoteli, raporton noa.al duke cituar Reuters. Edhe testet e PCR nuk do të kërkohen më për udhëtarët e vaksinuar plotësisht që kthehen në Angli.

Nën regjimin e ri të testimit, njerëzit që kanë marrë të dyja dozat nuk do të kenë nevojë të bëjnë një test paraprak, para se të largohen nga ndonjë vend që nuk është në listën e kuqe.

Sipas planeve të reja që hyjnë në fuqi më 4 tetor 2021, destinacionet thjesht do të renditen me rrezik të ulët ose të lartë, në vend të kuq dhe jeshil e jo si Italia apo shtete të tjera që i klasifikojnë në disa kategori.

Tetë vende, përfshirë Turqinë, Pakistanin dhe Maldivet, do të hiqen nga lista e kuqe e Shteteve me rrezik të lartë dhe kjo do të aplikohet që nga e Mërkura e ardhshme.

Kto shtete bashkë me Egjiptin, Sri Lankën, Omanin, Bangladeshin dhe Kenian hiqen nga lista e kuqe dhe detyrimi që udhëtarët të karantinohen në një hotel.

Nga 4 tetori, udhëtarët e vaksinuar që vijnë nga vendet me rrezik të ulët do të lejohen të bëjnë një test më të lirë atë rapid dhe jo më, testet laboratorike PCR (tampon molekular).

"Ndryshimet e sotme nënkuptojnë një sistem më të thjeshtë, më të drejtpërdrejtë. Një sistem me më pak testime dhe kosto më të ulëta, duke lejuar më shumë njerëz të udhëtojnë, të shohin të dashurit e tyre ose të bëjnë biznes në të gjithë botën, duke siguruar një nxitje për industrinë e udhëtimit," tha Sekretari i Transportit Grant Shapps në nje deklaratë.

Qeveria britanike përcakton politikën vetëm për Anglinë, ndërsa Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut janë të pavarura në rregullat e tyre. Megjithatë, ato shpesh kanë ndjekur rregullat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar gjatë pandemisë.

Për të pavaksinuarit, udhëtimi do të jetë një telash pa fund: Udhëtarëve të pavaksinuar që kthehen nga vendet me rrezik të ulët do t’u kërkohet të bëjnë një test para nisjes, plus teste PCR në ditën e dytë dhe ditën e tetë, dhe të izolohen për 10 ditë pas mbërritjes, tha qeveria britanike.

Anglia gjithashtu do të zgjerojë listën e vendeve nga të cilat njeh vaksinimet, pas suksesit të një vendimi pilot me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. 17 vende dhe territore të tjera do t’i shtohen listës, përfshirë Japoninë dhe Singaporin.

Sekretari i Transportit tha se rregullat e reja të udhëtimit do të qëndrojnë në fuqi "të paktën deri në vitin e ri".

"Qëllimi është ta bëjmë më të lehtë udhëtimin pa burokraci, pa kaq shumë teste dhe me një nivel më të lartë sigurie tani që kemi vaksinuar kaq shumë njerëz," tha ai. /noa.al

Fotot: Reuters