Transmetuar më 17-09-2021, 15:49

Gjatë takimit të zhvilluar dje, ish-Kryeministri dhe ish-Kryetari i PD-së Sali Berisha, u shpreh edhe për hapat që do ndërmerren për shkarkimin e Bashës. Por kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk ka kthim pas për sa i takon vendimit për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, kur u pyet nga gazetarët nëse ka frikë nga një shkarkim që mund t’i vijë nga paraardhësi Sali Berisha.

Në një konferencë të shkurtër për shtyp, Lulzim Basha sulmoi mazhorancën, duke shigjetuar treshen Tom Doshi, Ronaldo Rakipi dhe Edi Rama, si një aleancë plaçkitësish për Shqipërinë.

PD ka për qëllim që të larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit, thotë më tej Basha, duke shtuar se partneriteti i PD-së me SHBA-të do mbetet i pacënueshëm.

’77 votat e sotme, janë formalizimi i PPP-së, Rama-Doshi-Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe të Dosjes 339 të Shijakut bashkë me Rahman Rrajën të njohur ndërkombëtarisht për rekordet e tij kriminale, janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptarë, janë fatkeqësia kombëtare. Qëllimi i kësaj PPP, i kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre, të mbajnë pushtetin në kurriz dhe në kosto të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për t’i larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit dhe për t’i kthyer shqiptarëve demokracinë, parlamentin dhe qeverisjen e vullnetit të tyre të lirë.

Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë, në interesin më të mirë të së nesërmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe për këtë arsye ne së bashku me të gjithë shqiptarët që me zi po presim ndryshimin, do të bëjmë gjithçka për ta realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas!