Transmetuar më 17-09-2021, 11:25

Presidenti Ilir Meta duket se mbështet ish-Kryeministrin Sali Berisha. Meta e cilësoi ish-kryeministrin Sali Berisha “si vera”. Sipas tij, sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë demokrat Berisha bëhet.

Në përfundim të një aktiviteti në Korçë, Meta mbajti një prononcim për gazetarët.

I pyetur për zhvillimet në PD, Presidenti tha se: “Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla se s’është kjo detyra ime”, por shtoi se “sigurisht që zoti Berisha, s’mund ti rri pa thënë që është si vera, sa më shumë kohë kalon aq më i mirë bëhet dhe aq më demokrat bëhet”.

Pyetje-Përgjigje të Presidentit Meta në Korçë

Pyetje: Zoti President, a keni një koment për përjashtimin e zotit Berisha nga Grupi Parlamentar i PD-së, meqenëse Doktori është edhe dobësia juaj, siç e thoni vazhdimisht?

Presidenti Meta: Meqenëse përmendët Doktorin, unë do t’ju lutesha që të mos rrinit kaq pranë me njëri-tjetrin! Dhe do të lutesha që të gjithë të jenë të kujdesshëm në këtë situatë të pandemisë pasi ka një tendencë të përkeqësimit, dhe të rikthimit të një vale tjetër!

Mendoj se kjo është një çështje madhore.

Përsa i takon situatës së demokracisë në vendin tonë, edhe ajo kuptohet se është në një gjendje problematike. Nuk është ndoshta ashtu siç do të donin shumë, përfshirë edhe mua, pas 25 prillit, por pa asnjë diskutim është shumë më mirë se sa situata katastrofike para 25 prillit në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në të gjitha institucionet kryesore, qendrore dhe vendore të vendit, kështu që aktualisht pas 25 prillit sidoqoftë janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një demokraci funksionale, për një parlament funksional dhe ai është qëllimi ynë kryesor dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve që demokracia të funksionojë, që zëri i tyre të dëgjohet, që premtimet e atyre që votohen, të mbahen.

Pyetje: Zoti Meta ju keni thënë se në qoftë se zoti Rama fiton 71 mandate, ju do të jepnit dorëheqjen. A i qëndroni më kësaj, tashmë që ju keni njohur qeverinë “Rama”?

Presidenti Meta: Nuk jemi këtu për të intepretuar dhe për të nxjerrë jashtë konteksti se çfarë kam thënë unë.

Unë jam këtu për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtë gjë e kam bërë edhe përpara 25 prillit.

Shpesh kam shumë kërkesa nga gazetarët për të dalë nëpër studio apo për të dhënë intervista, por e kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë pas 25 prillit për arsye se unë besoj se i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve, që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese në mënyrën më antikushtetuese të denoncuar qartë edhe nga Komisioni i Venecias, për të kapur edhe Institucionin e Presidentit që përpara zgjedhjeve, dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët.

Kështu që unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Aktualisht askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë.

Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament! Që parlamenti të jetë më funksional! Që sistemi i llogaridhënies të nisë të funksionojë në mbrojtje të interesit publik dhe po kështu, edhe të gjitha institucionet e tjera të rimarrin veten, të fitojnë integritetin e tyre dhe të respektojnë gjithmonë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë!

Pyetje: Zoti President për të mbetur te demokracia, të cilën ju thatë se e keni mbrojtur siç thatë, te Kushtetuta aktualisht, dhe te sovraniteti. A është cenim sovraniteti ndërhyrja e ambasadorëve, të cilën ju edhe më herët e keni konsideruar si një tejkalim të misionit të tyre diplomatik për përjashtimin e zotit Berisha. Kam parasysh edhe deklaratat e vazhdueshme. Edhe deklaratën e djeshme të ambasadores amerikane. A është ky cenim i sovranitetit në kuptimin dhe në kontekstin e sovranitetit, që sovraniteti nuk është vetëm tërësi territoriale, është edhe pavarësi në vendimarrjeje?

Presidenti Meta: Së pari sovraniteti është respektim i vullnetit të qytetarëve. Dhe nuk kam mbrojtës më të mirë të sovranitetit, edhe kombëtar, se sa vetë sovrani, vetë qytetari, sigurisht kur ai është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës së tij, kur e mbron, kur nuk e shtet, kur nuk e tregton në këmbim të gjërave të momentit, të cilat i humbet shumë shpejt.

Përsa i takon sovranitetit, pa asnjë diskutim që fjala kyç për dekadat që vijnë për Shqipërinë, është sovranitet. Që nuk do të thotë mospërmbushje e detyrimeve për Shqipërinë ndaj NATO-s ku jemi anëtarë prej kohësh apo ndaj Bashkimit Europian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi, por një proces tepër i ngadalësuar për fat të keq. Pasi të gjitha detyrimet tona në raport me këto institucione dhe organizata ne i kemi të fiksuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kështu që unë besoj se në radhë të parë është e rëndësishme që t’u kthejmë sovranitetin qytetarëve. Ata të mos injorohen më! Ata të mos përjashtohen më! Ata të mos vendosen përpara faktit të kryer! Ata të mos jenë më viktimë e arbitraritetit dhe e kulisave të elitave, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë ta nxjerrin këtë sistem jashtë kontrollit të qytetarëve!

Është bërë një hap me 25 prillin, por hapa më të mëdhenj e më të shpejtë priten dhe pa asnjë diskutim që do të ndodhin në të ardhmen.

Pyetje: Për betimin e qeverisë dhe a do ta takoni atë..?

Presidenti Meta: Në çdo moment kemi qenë dhe jemi të hapur për të përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese për sa i takon këtij procesi pasi parlamenti i ri tashmë ka nisur punë dhe urojmë që të jetë një parlament sa më funksional, sa më demokratik dhe natyrisht edhe qeveria e re duhet të fillojë sa më parë! Njëkohësisht edhe kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë.

Pyetje: Si e komentoni betejën e zotit Berisha për kthimin e tij në PD?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla, për arsye se nuk është kjo detyra ime.

Sigurisht që zoti Berisha, nuk mund të rri pa e thënë: Është si vera që sa më shumë kohë kalon, aq më tërheqës bëhet, por edhe aq më demokrat bëhet!