Transmetuar më 17-09-2021, 09:12

Cristiano Ronaldo u detyrua ta braktisë rezidencën ku ishte vendosur në Manchester, qysh prej transferimit te “Djajtë e Kuq”, në ditët e fundit të gushtit, për t’u zhvendosur në një shtëpi të re. Cili ishte shkaku? Sa qesharak, edhe mjaft shqetësues për yllin portugez: delet që kalonin pranë shtëpisë së tij e zgjonin herët dhe e bezdisnin gjatë ditës, kur pushonte.

Për të shpëtuar nga ky “makth”, Ronaldo, e dashura e tij, Georgina Rodriguez, dhe katër fëmijët e tyre u zhvendosën në një shtëpi që kushton 6 milionë paund. E gjitha kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi 36-vjeçari kompletoi kthimin e tij përrallor te Manchester United.

Familja e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” është vendosur tashmë në një shtëpi më modeste, që kushton 3 milionë paund, në Cheshire, për shkak të zhurmës nga delet dhe frika e sigurisë. Një burim i tha “The Sun”:

"Shtëpia e parë ishte shumë e bukur, e vendosur në mes të fushave, kodrinave dhe pyjeve. Sidoqoftë, lëndinat përreth dhe rruga e vetme publike që kalonte përmes pronës, që përfshinte jo vetëm shtëpinë, por edhe dhjetëra hektarë gjelbërim, vizitoheshin (kulloteshin) nga tufat e deleve, të cilat janë shumë të zhurmshme, sidomos herët në mëngjes.

"Ai kishte një shteg publik përbri shtëpisë, ndërsa rruga në pjesën e përparme të shtëpisë lejonte pamje nga brenda portave. Ronaldo është një profesionist i vërtetë, që i kushton shumë vëmendje pushimit dhe rikuperimit të energjive pas ndeshjeve. Kësisoj, për të shpëtuar nga zhurma e bagëtive dhe për të qenë më i sigurt, ai mendoi se ishte më mirë që ta zhvendoste familjen që aty", – shton më tej burimi i tabloidit të njohur britanik.

Shtëpia e re thuhet se ka një dhomë kinemaje, pishinë dhe garazh për katër makina. Ka kamera CCTV, porta elektrike dhe patrullohet nga rojet e sigurisë, çka e bën familjen të ndihet më e sigurt. Burimi i “The Sun” sqaroi më tej: "Ronaldo jetoi afër shtëpisë së re gjatë qëndrimit të tij të mëparshëm në Manchester, para 12 vitesh, kështu që ndjehet si në shtëpi. Fëmijët e tij janë në një shkollë private. CR7 shpreson që sapo zhurma e kthimit të tij te Manchester United të shuhet, mund ta nxjerrë Georginën jashtë dhe t’i tregojë vendet e preferuara".