Transmetuar më 16-09-2021, 19:13

Kina reagoi sot duke e konsideruar të papërgjegjshëm vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të dërguar në Australi teknologji të nëndetëseve bërthamore.

“Lëvizja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë për të eksportuar teknologji shumë të ndjeshme të nëndetëseve bërthamore në Australi është jashtëzakonisht e papërgjegjshme”, -deklaroi të enjten Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ai shtoi se palët përkatëse duhet të braktisin mentalitetin e vjetëruar të Luftës së Ftohtë dhe perceptimin mendjeshkurtër gjeopolitik.

SHBA, Britania dhe Australia njoftuan të mërkurën krijimin e një bashkëpunimi tripalësh të sigurisë, të quajtur “AUKUS”. Nisma e parë e saj do të jetë dërgimi i një flote nëndetëse me teknologji bërthamore për në Australi, citon “Xinhua”.

Zëdhënësi Zhao tha se bashkëpunimi për nëndetëset bërthamore përmes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë ka minuar rëndë paqen dhe stabilitetin rajonal, ka intensifikuar garën e armatimit dhe ka dëmtuar përpjekjet globale të mospërhapjes bërthamore.

Ai tha se kjo lëvizje dëshmon edhe njëherë se këto vende po përdorin eksportin bërthamor si mjet për lojëra gjeopolitike dhe për të vendosur standarde të dyfishta, gjë që është jashtëzakonisht e papërgjegjshme.

Zhao tha se Kina do t’i kushtojë vëmendje të veçantë zhvillimeve në këtë drejtim, duke theksuar se Kina gjithmonë beson se çdo mekanizëm rajonal duhet të jetë në përputhje me trendin e paqes, të kontribuojë në rritjen e besimit dhe bashkëpunimit reciprok midis vendeve të rajonit, dhe nuk duhet të synojë asnjë palë të tretë ose të minojë interesat e saj.

Amerika dhe Anglia bëhen bashkë për kontroll bërthamor në Indo-Paqësor