Transmetuar më 16-09-2021, 12:20

Një vend të veçantë në fjalën në Kuvend Kryeministri Edi Ramai i ka kushtuar çështjes së “Ballkanit të Hpaur”.

Rama e cilësoi edhe njëherë si “pjellë” të procesit të Berlinit, ndërsa kritikoi sërish qeverinë e Kosovës.

Kreu i qeverisë i drejtua ashpër politikës në Kosovë, që të pranojë e të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, pasi sipas tij, përfitojnë gjithë shqiptarët.

Për kryeministrin shqiptar, saga e konfliktit Kosovë-Serbi nuk mbyllet kurrë duke u izoluar, por vetëm duke u hapur, duke iu afruar problemit, duke diskutuar.

Me tone të ashpra, Rama iu përgjigj edhe kritikëve të kësaj nisme, që e kanë cilësuar atë si tradhtar, duke thënë se “Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi! Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë”.

"Ballkani i Hapur nuk është lojë e Serbisë. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë. Nuk është një devijim nga integrimi. Të gjitha këto janë përralla me gogol, me një armik të deridjeshëm që Kosova, Shqipëria, e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bombola e me pushkë, falë SHBA e aleatëve më të mëdhenj evropianë.

Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen djem e vajza për t’u martuar, nuk ja kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë, as në Tiranë. Nuk ja kanë borxh që Kosova, e nxitur dhe nga Tirana, për politika që s’kanë të bëjnë fare me kombin, t’i humbasë në paqe si në një rule kazinoje politike, ku blofet në politikë të brendshme e të jashtme pasojnë njëra-tjetrën, të gjitha përfitimet. Ju takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimin, ndërsa neve na takon thjesht t’i respektojmë. Ama, për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet, duhet t’i diskutojmë, por kurrë t’i shpallim si tradhtarë, filo-rusë e filo-serbë, ata që mendojnë ndryshe, duke luajtur me padije. Ballkani i Hapur është pjellë e procesit të Berlinit.

Ku është tradhtia këtu, ku është konspiracioni, ku është asimilimi, ku është dreqi këtu? Apo do të përfitojë Serbia këtu se është më e madhe? Neve nuk na intereson fare çfarë përfiton Serbia, po sa përfiton Shqipëria dhe Kosova. Shqiptarët së bashku bëjnë që serbët janë vetëm njëri nga dy kombet e mëdhenj.

Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që të bashkëpunojmë ngushtësisht me qeverinë e Kosovës. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi! Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë. Të merremi me punë konkrete në dobi të njerëzve dhe të jemi të angazhuar," tha Rama.