Transmetuar më 16-09-2021, 13:27

Një banor nga Zyrihu, por me kombësi shqiptare. Nedim Bajrami, mesfushor-sulmues, sigurisht që nuk kishte frikë nga kapërcimi në kategori, duke u ngjitur nga Serie B në Serie A. Përkundrazi, ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë si disa sezone më parë në Serie B.

Ky që sapo ka filluar është kampionati i tretë i tij tek Empoli. Mesfushori-sulmues, i lindur më 1999, konsiderohet nga prestigjiozja sportive italiane “Gazzetta dello Sport” si një lojtar i aftë që të luajë në çdo rol në mesfushë, edhe pse pozicioni natyror është ai që mban aktualisht, përkatësisht mesfushor-sulmues pas dy sulmuesve të deklaruar.

Në dy sezonet e para shënoi gjithsej 12 gola dhe asistoi në 14 raste, në të gjitha garat. Në Serie A, këtë sezon, tashmë ka shënuar një gol ndaj Venezia, si dhe ka dhënë një asist, në ndeshjen debutuese kundër Lazios.

Një fillim i mirë i sezonit, pra, për Bajramin, i cili lehtësisht mund të konsiderohet lider i Empolit, shtylla e shpresave për mbijetesë në Serie A, duke qenë se golat vijnë kryesisht nga “shpikjet” e tij.

Pavarësisht ardhjes së lojtarëve të rëndësishëm të kalibrit Pinamonti dhe Cutrone, shqiptari mbetet lideri blu, ai që mund të shpikë në çdo moment veprimin vendimtar për toskanët.