Transmetuar më 17-09-2021, 08:25

Messi ka pak më shumë se një muaj që ka zbarkuar te PSG. Ai ka luajtur vetëm një ndeshje si zëvendësues gjatë kësaj kohe, por nënshkrimi i tij ka rezultuar qysh tani një sukses i plotë për klubin parizien. Në fakt, argjentinasi i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Vetëm 24 minuta të luajtura deri më sot, por larg aspektit sportiv po ndodh një çmenduri e vërtetë.

Në rrugë është e dukshme, fanellat e Messit me PSG kanë sulmuar papritur edhe trotuaret. Kjo gjë ndodh edhe në Los Agelos, ose në kontinentin aziatik, pa llogaritur vetë qytetin e Parisit. Dyqanet e skuadrës franceze, ose ato ku shiten produktet e PSG në pjesë të ndryshme të planetit, janë mbushur me tifozë që duan të marrin fanellën e re të Messit.

Dimensionet janë të tilla sa “Nike”, prodhuesit të uniformave të PSG -së, i është dashur të lançojë një gamë të tretë prej 100.000 fanellash, të quajtur "fanella e tifozëve". Ëhtë një koleksion i përjetshëm i mbushur me emra dhe numra të Marquinhos, Mbappé, Ramos, Hakimi dhe Messi, natyrisht. Në fund të shtatorit do të dalin në treg 10.000 kopje prej tyre.

Klubi parizien pret një rritje të porosive për fanella prej 30% deri në 40% në krahasim me vitet e mëparshme. Nga ana tjetër, deri më tani, Messi ka tejkaluar me më shumë se 50% shitjet e fanellave të Neymar, në muajin e parë pas nënshkrimit të tij me PSG.

Messi, gjithashtu ka shtuar publikun “virtual” të PSG. Deri në 25 milionë ndjekës të rinj kanë filluar ta ndjekin ekipin parizien në rrjetet sociale, duke arritur në gjithsej 140 milionë. Dhe jo vetëm kaq, PSG është bërë klubi ose marka më e ndjekur në Instagram. Me 49 milionë ndjekës, ai kryeson renditjen mbi Chanel, Louis Vuitton dhe Dior.

Pra, nënshkrimi i Messit ka qenë i përmasave “biblike”, dhe kjo reflektohet në të gjitha aspektet që rrethojnë entitetin parizien. Gjithashtu në aspektin e sponsorëve. Për shembull, Christian Dior u bë sponsor i ri, duke zëvendësuar Hugo Boss. Për më tepër, platforma kryesore e kriptomonedhës, Crypto.com, ndan mes 25 dhe 30 milionë euro për PSG, pa llogaritur shpërblimet. Marrëveshje nga të cilat futbollisti argjentinas merr komisionin e tij. Çmenduria ka mbërritur në Paris, edhe pse Messi nuk ka folur ende në fushë.