Transmetuar më 17-09-2021, 09:50

“Wall Street Journal” ka botuar dy histori kryesore në lidhje me punën e brendshme të Facebook. E para, në lidhje me një program të brendshëm të quajtur “XCheck”, që lejon personazhet e famshëm, politikanët dhe përdoruesit e tjerë VIP-a të thyejnë rregullat e vetë kompanisë së rrjeteve sociale për atë që mund dhe nuk mund të postohet.

Në një rast, Facebook mbajti fotografi nudo të një gruaje, të postuara nga ylli brazilian i futbollit, Neymar, në atë që shumë e kanë përshkruar si por.nografi hakmarrëse (Neymar pretendon se nuk ka bërë asgjë të keqe). Postimi arriti në 60 milionë shikime, sepse qëndroi gati për një ditë të plotë publik.

Kjo, natyrisht, është në kundërshtim me mënyrën se si postimet dhe mesazhet e përdoruesve normalë moderohen me rreptësi. Siç shkruante “New York Times” muajin e kaluar, Facebook po i paguan kompanisë konsulente “Accenture” më shumë se 500 milionë dollarë në vit për t’i hequr por.nografinë, gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtje të tjera të ndaluara nga shërbimi që ofron si rrjet social.

Raportohet se Facebook përjashtoi miliona përdorues të profilit të lartë, duke përfshirë njerëz të famshëm, politikanë, sportistë dhe gazetarë nga disa ose të gjitha standardet e komunitetit të tij, me sa duket për të kundërshtuar deklaratat publike të rrjetit social se rregullat zbatohen njësoj për të gjithë.

Një burim i brendshëm i praktikave të Facebook nga viti 2019 tha se “kompania në fakt nuk po bënte atë që themi se bëjmë publikisht".

Programi “XCheck”, gjithashtu përfshiu shumicën e zyrtarëve qeveritarë, por jo të gjithë kandidatët që konkurrojnë për poste të larta, sipas raportit. Në vitin 2020, të paktën 58 milionë përdorues thuhet se ishin pjesë e “XCheck”, ndër të cilët edhe ish-presidenti i SHBA, Donald Trump.