Transmetuar më 15-09-2021, 13:40

Ndodh edhe kështu. Gjatë emisionit “live” të së martës mbrëma në “Ora News”, një zog ka hyrë në studio, duke shkaktuar ilaritet te të ftuarit, por edhe drejtuesja e emisionit, Beti Njuma.

Për disa sekonda, vëmendjen edhe të teleshikuesve e ka marrë zogu, i cili përpëlitej tavanit të studios për të gjetur daljen që aty, ku dritat e verbonin.

Të ftuar në studio ishin Spartak Ngjela, ish-ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku e të tjerë. Të pranishmit janë befasuar vërtet nga kjo gjë “ekzotike”, teksa mezi e kanë mbajtur të qeshurën.

Ka qenë drejtuesja e emisionit që është munduar të shpjegojë situatën e krijuar: “Po qeshim në studio, sepse edhe teleshikuesit mund të çuditen, ngaqë këtu ka hyrë një zog. Nuk e kuptoj fare ku ka hyrë dhe si ka hyrë, sepse është një labirinth koridoresh për të ardhur deri këtu”.

Çejku ka shtuar: “Është shans i mirë për fillimin e emisionit. Urime!” Avokat Ngjela ka pyetur mos është lakuriq nate…