Transmetuar më 15-09-2021, 11:20

Ai mund të jetë frymëzuar edhe nga skena e famshme e "Gladiatorit". Sipas asaj që shkruajnë në Angli, “The Sun” veçanërisht, fjalët e para të Cristiano Ronaldos drejtuar skuadrës së tij të re (por dhe të vjetër) në fakt kanë pasur një ndikim të madh te lojtarët e Manchester United.

Një fjalim shumë i fuqishëm dhe nxitës moralisht, raporton burimi i “The Sun”. Aq sa grupi e dëgjoi atë në heshtje dhe më pas e duartrokiti. "Unë jam kthyer për dy arsye, – tha CR7 në fillim, – sepse e dua këtë klub dhe më pëlqen mentaliteti fitues që po rritet në këtë ekip.

Jam këtu për të fituar dhe për asnjë arsye tjetër. Fitorja na bën të lumtur, unë dua të jem fitimtar. Po ju? Duhet të luftoni për këtë klub", – vazhdoi Ronaldo para Bruno Fernandes dhe shokëve të tij të skuadrës, para se të dilte në fushë kundër Newcastle për debutimin e dytë me “Djajtë e Kuq”.

Një ndeshje që u fitua 4-2, falë edhe dopietës së tij.  "Pavarësisht nëse luani ose jeni në stol, ju duhet të mbështesni shokët e skuadrës, gjithmonë të jepni 100 për qind për fanellën. Nëse japim më të mirën, tifozët gjithmonë do të na mbështesin.

Unë thjesht dua të krijoj një mentalitet fitues, kështu që, kur një ditë të dal në “pension”, kjo frymë do të mbetet dhe ky grup lojtarësh do të dominojë futbollin, siç kemi bërë në të kaluarën", – shtoi Ronaldo.

Një trashëgimi, me pak fjalë, që portugezi do të donte t’ia linte klubit me të cilin e nisi futbollin e madh 18 vite më parë: "Unë do të jap gjithçka, por kam nevojë për ndihmën tuaj. A jeni gati për të luftuar? Për të dhënë gjithçka në fushë?"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd