Transmetuar më 15-09-2021, 08:37

Jurgen Klopp, trajneri i Liverpool, luhatet midis ambicies për të fituar përsëri Ligën e Kampionëve dhe startit të mbarë ndaj Milanit, në sfidën që sonte hap Grupin B të Champions-it, shumë kërkues: "Kur bëhet fjalë për ndeshje të mëdha europiane, Liverpool-Milan është absolutisht referencë.

Kanë kaluar disa vite nga paraqitja e fundit e kuqezinjve në Ligën e Kampionëve, por prej një viti e gjysmë kanë bërë një punë vërtet të mirë. Gjithashtu, këtë sezon e filluan shumë mirë në Serie A, kështu që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja palët.

Nuk mendoj se dikush ishte i lumtur kur pa rezultatin e shortit të grupit tonë (përfshin gjithashtu Atletico Madrid dhe Porto). Një grup shumë i vështirë, ne e dimë këtë. Kemi punuar shumë për të qenë në këtë kompeticion. Tani na mbetet vetëm të fitojmë pikët e nevojshme për të kaluar në raundin e dytë".

Klopp, gjithashtu foli për atmosferën e pritshme në “Anfield”: "Ne nuk kemi luajtur në shtëpi për llogari të Ligës së Kampionëve prej një kohe të gjatë me tifozë. Le ta shijojmë atmosferën që krijohet me netët evropiane në “Anfield”. Personalisht mezi po pres t’i shoh tifozët në stadium, duke na mbështetur".

Për mungesën e Zlatan Ibrahimovic, trajneri gjerman shton: "Zlatan, çfarë lojtari! Unë pashë video të tij kur u dëmtua dhe si u shërua më herët se parashikonin mjekët, duke shkruar: Luanët nuk pushojnë gjatë.

Ai është një lojtar për momente të jashtëzakonshme, por nëse sot nuk luan ndaj nesh, Giroud do të jetë në fushë. Një futbollist tjetër shumë i mirë. Zlatan është një nga lojtarët më të mirë që kam parë ndonjëherë. Ai ende ka energji në rezervuarin e tij dhe shtrydh çdo pikë 40 vjeç. Ka treguar se është i aftë të luajë në çdo ligë, diçka e jashtëzakonshme".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd